Valbon Limani ka dorëzuar zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Gostivarit në kuadër të koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim. Në një postim në rrjetet sociale, Limani tha se angazhimi i tij do të bazohet në përvojën si mjek dhe në përkushtimin për të shërbyer qytetarëve pa dallim.
“Le të jetë kjo fushatë një shembull dashurie për njëri-tjetrin, pa dallime partiake, fetare apo etnike. Le të jetë një fushatë me Gostivarin në zemër!”, ka shkruar Limani.
Ai theksoi se prioritetet e tij do të jenë arsimi, infrastruktura, ambienti dhe shërbimet publike, duke premtuar projekte të realizueshme dhe të qëndrueshme.
Limani falënderoi kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, për besimin dhe mbështetjen, dhe bëri thirrje për një fushatë të qetë dhe të përqendruar te qytetari.
