Gazetare: Ajnur Bafqari

Në redaksinë e Alsat kanë arritur ankesa për mosrespektim të terminëve lidhur me kontrollet për verifikimin e realizimit të të drejtës për “kujdes ndaj tjetrit”. Të enjten, në njërën nga ditët e përcaktuara për terminët për “kujdesin për tjetrin”, sipas informacioneve të Alsat, në Klinikën për Neurologji të gjithë pacientët janë thirrur të dalin para komisionit në një interval kohor shumë të shkurtër respektivisht prej orës 14 deri në orën 15, pavarësisht faktit që pacientët kanë pasur të caktuara termine të ndara në orë të tjera. Kjo, ka shkaktuar kaos dhe radhë të gjata pritjesh në këtë klinikë. Alsat vizitoi këto hapësira sot, ku situata paraqitej më e qetë, duke pasur parasysh faktin se sot nuk ka komisione vlerësuese.

“Dje isha këtu, duhej përsëri sot të vij, kam pritur pak po…Më kërkuan vërtetim të ri nga mjeku amë.. Sot prita 15-20 minuta”, tha një qytetar.

“Jam e kënaqur, sepse punët besoj do të shkojnë si duhet. Deri tani kishte edhe shumë pritje. Por tash mendoj se do të jenë më konkretë”, tha një qytetare.

Kontaktuam përfaqësues të komisioneve vlerësuese. Nga ku thanë se nuk është e vërtetë se ka parregullsi në terminë. Ata nënvizojnë se secili termin respektohet maksimalisht nga komisioni, por thonë se ka tolerancë për pranimin e dokumenteve për pacientët e palëvizshëm edhe jashtë terminit, pasi sjellja e dokumenteve nga kujdestarët nuk merr kohë shtesë dhe nuk shkakton mbingarkesë.

“ E vetmja gjë që mund t’ju pengojë grupit i cili është në atë ditë në kontroll (komision) është se në kategorinë e pacientëve bëjnë pjesë dy grupe, njëri me prezencë fizike, tjetri pa prezencë të pacientit, për shkak të diagnozës së rëndë, gjë që vërtetohet me vërtetim nga mjeku amë dhe bashkë me dokumentet tjera i sjell familjari ose kujdestari i pacientit. Ne si komision i kemi dhënë urdhër motrave, që pranimi i këtij grupi të dokumenteve të bëhet edhe jashtë terminit”, tha një Përfaqësues komisionit vlerësuese.

Drejtori i klinikës së neurologjisë, Jovan Bozhinovski, tha se nuk ka informacione si po realizohet kjo çështje pasi nuk është anëtarë i ndonjë komisioni, por ai tha se nuk do të lejojë krijim të kaosit dhe nëse konstatohet parregullsi, do të reagohet menjëherë.

“Në atë pjesë, ka pacientë që vijnë në kontroll me prezencë te komisioni, por ka edhe prej atyre që vinë vetëm dokumentacion, respektivisht sjellin vërtetim nga mjeku amë që komisioni të vendos mbi baza të atyre dokumenteve. Këtë e di prej më herët. Nëse ata persona thirren me vërtetim ose jo, nëse ata vijnë më herët, këtë nuk mund ta them. Thash e gjithë kjo do të verifikohet, nëse është ashtu, do të reagohet menjëherë dhe nëse ka nevojë do të bëhen ndryshime edhe te përbërja e personelit, të administratës që punon me pacientët, por do të përsëris se vendimet për këto komisione i merr ministria e shëndetësisë, ne mund vetëm të japim propozime”, u shpreh Jovan Bozhinovski, drejtor i neurologjisë.
E drejta për “kujdes ndaj tjetrit” është e përcaktuar me ligj, për çka pacientët me diagnozë përkatëse marrin kompensim të caktuar financiar. Për të realizuar këtë të drejtë, pacientët i nënshtrohen një procedure përkatëse për të verifikuar vërtetësinë e të dhënave dhe diagnozës./Alsat.mk

The post Në Klinikën e Neurologjisë, qytetarët ankohen se nuk respektohet orari i termineve appeared first on Alsat.