Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, mëngjesin e sotëm temperatura më e ulët në vend është regjistruar në Kodër të Diellit, ku në orën 07:00 janë matur -8°C dhe 97 cm borë, temperatura më e lartë është matur në Gjevgjeli,6°C.

Ndërkaq nga Ski Qendra Kodra e Diellit njoftojnë se teleferikët nuk do të punojnë.

“Ju njoftojmë se, për shkak të kushteve jo të favorshme të motit dhe erërave të forta, teleferikët nuk do të jenë në funksion deri në përmirësimin e kushteve të motit. Faleminderit për mirëkuptimin. SOS NUMBER – +389 75 303 988”, thonë nga Ski Qendra.

Sinoptikët njoftojnë se sasia e reshjeve për 24 orët e fundit deri në orën 07:00 është: 13 l/m² në Strumicë, 11 në Berovë, 8 në Pretor dhe Gjevgjeli, 7 në Demir Kapi, 6 në Manastir, 5 në Tetovë, Pozharan dhe Krushevë.

Shtresa e borës në në Hanet e Mavrovës është 3 cm, 2 cm në Berovë dhe 1 cm në Gjurishte.

Sipas DPHM, gjatë ditës moti do të jetë me diell dhe me vranësira të vogla deri mesatare. Paradite do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar nga veriu (lokalisht mbi 60 km/h), veçanërisht përgjatë Vardarit dhe në pjesët lindore. Temperatura maksimale do të jetë nga 3 deri në 11°C.

Shkup moti do të jetë me diell dhe me vranësira të pakta deri mesatare, me erë mesatare deri të përforcuar nga veriu, sidomos paradite. Temperatura maksimale do të arrijë deri në 9°C.