Gazetar: Suad Bajrami
Në kulmin e fushatës zgjedhore në Kosovë krerët e VLEN-it me gjithë funksionarët e saj, mbrëmë i organizuan miting elektoral Vetëvendosjes në Tetovë, ku mysafire nderi ishte kandidatja për deputete e cila aktualisht është u.d. e presidentes, Albulena Haxhiu. Bilall Kasami ftoi në angazhim për partinë e Albin Kurtit, ndërsa nuk la pa thumbuar edhe partitë opozitare të Kosovës.
“Zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë janë zgjedhje mes politikës së të kaluarës dhe politikës së të ardhmes, mes atyre që e shohin pushtetin si privilegj dhe atyre që e shohin si përgjegjësi. Prandaj jam i bindur që qytetarët te Kosovës do të vazhdojnë ta mbështesin rrugën e ndryshimit, rrugën e zhvillimit dhe rrugën e dinjitetit shtetëror. Ju ftoj edhe juve të dashur tetovarë që keni të drejtë vote në Kosovë – e di se jeni shumë në numër, por edhe më shumë janë ata që kanë familje e miq në Kosovë – të angazhohemi këto 7 ditë të mbetura, të flasim me secilin, ta përkrahim zhvillimin e Kosovës, forcimin e Republikës, shtrirjen e sovranitetit në çdo pëllëmbë të saj”, tha mbrëmë Bilall Kasami nga VLEN.
Megjithatë vetëm dy ditë përpara mitingut, vetë Kasami në një intervistë televizive në Tiranë shigjetoi Tiranën zyrtare për ndërhyrje në politikën e brendshme të Maqedonisë duke përkrahur BDI-në. Në të njëjtën intervistë, në mënyrë kundërthënëse, i orvatej prapëseprapë Tiranës, që sipas tij, duhet të jetë “Qabeja politike për VLEN-in”.
“Ka ndodhur më herët që në vigjilje të zgjedhje parlamentare në Maqedoni të Veriut, kur ndihma nga Tirana ka qenë e pamjaftueshme që BDI-në ta mbajë në pushtet, ka ardhur ndihma e drejtpërdrejtë nga Prishtina… Ne e vlerësojmë bashkëpunimin institucional, bashkëpunimin e Qeverisë së Kosovës me Qeverinë ku VLEN është pjesë në Maqedoni të Veriut. Sepse ne vlerësojmë që edhe Tirana, ministrat e Shqipërisë, cilido qoftë ai ministër, kur vijnë në Shkup duhet të takojnë përfaqësuesit zyrtarë të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut dhe jo përfaqësues politikë”, tha Bilall Kasami më 28 maj.
Praktika e tillë nuk është risi, shkruan Alsat. Partitë vendore prej vitesh bëjnë tifozëri jashtë vendit dhe anasjelltas, varësisht interesit të tyre. Në zgjedhjet e kaluara, Ali Ahmeti kishte porositur kosovarët publikisht të mos e mbështesin Kurtin, nëse nuk duan që të mbeten në paketën e sanksioneve me Rusinë dhe Bjellorusinë.
“Duke e vulosur atë vullnet me votën e tyre që Kosovën, të mos e lënë në pako me Rusinë dhe Bjellorusinë, të cilat shtete janë nën sanksione të Evropës dhe Amerikës. Edhe Rusia edhe Bjellorusia”, pati deklaruar Ali Ahmeti në shkurt të vitit 2025.
Por vetë Ahmeti që përzihej në zgjedhjet e Kosovës, nuk e fshihte aspak anshmërinë e tij – duke marrë çmime nga Tirana e Kosova, si ai Doctor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës, në tetor të 2025, gjatë ditëve të fushatës zgjedhore në Maqedoni. Edhe në dhjetor të vitit 2016, Ahmeti u dekorua nga presidenti i atëhershëm i Kosovës Hashim Thaçi, në ditën e parë të fushatës së zgjedhjeve parlamentare, në qendër të Shkupit. Ndërsa në zgjedhjet e majit të vitit 2024, derisa Ahmeti kritikonte se Albin Kurti po ndërhyn në zgjedhjet e Maqedonisë, në Tiranë u ftua për t’u shpallur “Qytetar nderi”, në mes të fushatës zgjedhore. Pak javë më parë para kësaj ngjarje, Ahmeti ishte shpallur edhe qytetar nderi i Komunës së Prizrenit. BDI-ja, jo vetëm që e kishte përçarë faktorin shqiptar mes Tiranës e Kosovës, por në euforinë e saj, vlerësohej edhe nga Vuçiq, në Serbi. Në Ballkanin ku politikat e vogla prodhojnë polemika të mëdha, rivalitetet shqiptare vazhdojnë të jenë më të forta se parimet që shpallen në publik. /Alsat.mk.
The post Në kulmin e fushatës në Kosovë, VLEN i organizon tubim Vetëvendosjes në Tetovë appeared first on Alsat.
