Gazetar: Zekirija Haxhiu
Në Kuvend u prezantuan propozim ndryshimet e planit financiar për vitin 2025. Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska duke prezantuar ndryshimet në buxhet, njoftoi se shpenzimet kapitale janë projektuar në 47,5 miliard denarë, me fokus në projekte ku deri tani ka pasur realizim të lartë, veçanërisht në mbrojtje. Rebalanci nuk e ndryshon nivelin e deficitit buxhetor ndërsa të ardhura janë projektuar 362,4 miliard denarë. Inflacioni pritet të stabilizohet në 2,8% ndërsa papunësia në 11%. Bruto prodhimi vendor në kuartalin e parë të këtij viti, ka shënuar rritje prej 3%, tha Koçoska.
“Të ardhurat e përgjithshme janë të projektuara në 362,4 miliard denarë që shënon rritje prej 1% nga plani inicial. Kjo rritje është rezultat i projektimit të pa ndryshueshëm të të ardhurave tatimore, rritje e të ardhurave jo tatimore si dhe zgjerim i buxheteve në llogaritë e aktiviteteve vet financuese. Të ardhurat tatimore ngelin stabile sipas planit, falë realizimit të mirë në gjysmën e parë të vitit”, tha Gordana Dimitrieska Koçoska – Ministre e Financave.
Deputetja e LSDM-së, Sanja Llukarevska, kritikoi Koçoskën dhe Qeverinë se shpenzimet e qytetarëve janë rritur ndërsa masat e deritanishme nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Rebalansi është jo real, i dëmshëm dhe pa komponentë zhvillimore, tha Llukarevska.
“Kemi rebalans të bazuar në projekte jo reale makro ekonomike, shpenzime dëshpëruese kapitale dhe shkelje të rregullave fiskale. Deficiti ngelet në të njëjtin projektim prej 4% të BPV ndërsa të dhënat e fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave është se inflacioni në qershor është 4,5%. Pritshmëritë e Qeverisë janë se sivjet do të përfundohet me vetëm 2,8% , që është e pa mundur”, shtoi Sanja Llukarevska – LSDM.
Po të ishte menaxhimi financiar i mirë, të rinjtë nuk do të kishin migruar nga vendi tha deputeti i së Majtës, Amar Mecinoviq.
“Qeveria juaj sivjet nuk tregoi se ka çfarëdo qëllimi që të parandalojë këtë trend, të minimizojë dhe amortizojë. Përkundrazi këto rebalance e nderuar ministre, përskaj të gjitha gjërave që i thatë, këto rebalancë janë katalizatorë të migrimit të njerëzve tanë. Këto politika na kanë sjellë në fundin e Evropës, këto politika janë arsyeja e parametrave që i shohim dhe vuajtjeve që kanë”, tha Amar Mecinoviq – E Majta.
Debati në kuvend për rebalancin e buxhetit zgjat 5 ditë./Alsat.mk
The post Në Kuvend u prezantuan propozim ndryshimet e planit financiar për vitin 2025 appeared first on Alsat.
