Ish-kapiteni i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka zbuluar një episod të veçantë nga fillimet e karrierës së tij; refuzimin e një oferte të Arsenalit kur ishte vetëm 16 vjeç: “Nënshkrova kontratën time të parë në moshën 16-vjeçare. Në atë kohë duhej të firmosja me Arsenalin. Liam Brady, përgjegjësi i sektorit të të rinjve, më kishte bërë një ofertë për të shkuar në Londër. Ishte një shifër shumë e lartë për atë periudhë, rreth 60 mijë euro me vlerën e sotme, por thashë jo.
Edhe sot nuk e di mirë pse, sepse nuk kishte asnjë kuptim ta refuzoja një mundësi të tillë. Nuk doja të largohesha falas ose pothuajse falas nga klubi im. Isha rritur aty, ishte shtëpia ime dhe ndieja se nuk ishte momenti për t’u larguar. Pranova të firmosja për më pak se 1000 euro në vit”.
I pyetur nëse Arsenali kishte dërguar vëzhgues për ta ndjekur, Chiellini konfirmoi se ishte vëzhguar që në ekipet kombëtare të moshave U-15 deri U-17: “Po ta këshilloja sot djalin tim, nipin apo këdo tjetër, do t’i thoja të shkonte tek Arsenali pa asnjë hezitim. Atëherë mora atë vendim dhe prindërit e mi ma respektuan”.
Në atë periudhë, Arsenali drejtohej nga Arsène Wenger dhe kishte një nga akademitë më të mira në Britaninë e Madhe.
The post “Në moshën 16-vjeçare i thashë ‘jo’ Arsenalit. As sot nuk e di pse e bëra, nuk kishte kuptim të refuzoja” appeared first on Telesport.
