Gazetare: Melihate Rustemi

Parandalimi i ikjes së trurit nuk është më vetëm dëshirë, por domosdoshmëri urgjente për mbijetesën ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Në Shkup, ekspertët e arsimit dhe Banka Botërore prezantuan një plan që synon ta shndërrojë migrimin në një qarkullim të dijes.

“Migrimi nuk do të thotë domosdoshmërish humbje e pakthyeshme. Me politika konkrete dhe stimulime, ne mund të krijojmë ‘shtigje të kthimit’. Qëllimi është që lëvizshmëria të kthehet në avantazh rajonal, ku njerëzit kthehen në vendlindje për të punuar në mënyrë produktive me përvojën që kanë fituar jashtë”, deklaroi Xiaoqing Yu, Banka Botërore.

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se çelësi i këtij ndryshimi qëndron tek ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe lidhja e tyre e fortë me ekonominë reale. Siç tha ajo, nuk mjafton vetëm arsimimi, por kërkohet forcimi i fushave STEM dhe teknologjisë digjitale, në mënyrë që tregu i punës në rajon të jetë po aq tërheqës sa ai global.

“Në kushtet e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike, po rritet ndërgjegjësimi për arsimin, si investimi më i sigurt, nga i cili varet e ardhmja e ekonomive, qëndrueshmëria dhe rezistenca e tyre. Pa një kontribut të fortë nga komuniteti i arsimit të lartë përmes kërkimit, mësimit dhe mësimdhënies, ndikimit shoqëror, inovacioneve dhe transferimit të teknologjisë, nuk mund të zgjidhen sfidat kryesore të shoqërive bashkëkohore, përfshirë ato që lidhen me qëllimet e Kombeve të Bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Në konferencën rajonale “Urat drejt së ardhmes” u theksua se për të ndalur valën e largimeve, zyrtarët kërkojnë që universitetet të mos jenë më ishuj të izoluar, por partnerë të industrisë. Financimi i tyre nuk do të jetë më thjesht rutinë, por do të bazohet në rezultate dhe cilësi. / Alsat.mk.

The post Në një konferencë rajonale në Shkup u diskutua për parandalimin e largimit të rinjve appeared first on Alsat.