Gazetare: Melihate Rustemi
Dhjetëra universitete kanë prezantuar programet e tyre të studimit për maturantët dhe të rinjtë, në kuadër të Panairit të Arsimit dhe Karrierës. Interesi më i madh mbetet për studimet në Fakultetin e Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike.
“Studentët tanë punësohen që gjatë kohës së studimeve dhe janë aktivisht të përfshirë në industri, ndërsa një pjesë e madhe e atyre që diplomohen punojnë edhe për kompani të huaja. Kërkesa është ende e madhe për profesionet për të cilat fakulteti përgatit studentët e tij ndërsa vendet e punës janë mjaft të paguara”, tha Vllatko Spasev, asistent në FSHIIK.
Disa drejtime tradicionale si Veterinaria dhe Bujqësia vazhdojnë të mbeten më pak të preferuara nga maturantët. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, Dejan Jankullovski, deklaroi se përveç programit studimor në gjuhën maqedonase, kanë edhe program në gjuhën angleze, ku çdo vit regjistrohen rreth 15 studentë të huaj, kryesisht nga Turqia.
“Për fat të keq, në vitet e kaluara interesi për studimet e mjekësisë veterinare ishte në rënie, por vitet e fundit është rritur paksa, ndonëse kuota nuk plotësohet plotësisht. Pozitive është që kemi edhe studentë të huaj që studiojnë në programet në anglisht,” tha Jankullovski”, u shpreh Dejan Jankullovski, dekan I Fakultetit të Mjeksisë Veterinare.
Në Panairin e Arsimi u prezantua edhe Akademia Ushtarake “Gjeneral Mihajlo Apostollski”, Shkup. Toger Rexhep Mustafovski, asistent në Akademi, deklaroi se të rinjtë që në të ardhmen duan të jenë pjesë e Armatës së shtetit nuk duhet të jenë më të vjetër se 21 vjeç për t’u regjistruar në studime.
“Shpallja e konkursit në Akademinë ushtarake është më e ndryshme nga konkurset tjera dhe bëhet prej muajit prill deri në muajin qershor. Konkursi është në disa faza. Studimet janë katër vjet, dy vitet e para janë studime të përgjithshme ndërsa dy vitet e fundit janë studime ku studentët ndahen sipas degëve, varësisht prej nevojës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe gjithashtu të ushtrisë”, tha Rexhep Mustafovski, Akademia ushtarake.
Panairi i arsimit shërbeu jo vetëm si një hapësirë informuese, por edhe si një mundësi për orientim profesional në mënyrë që tregu i punës të zhvillohet në harmoni me nevojat e shoqërisë./Alsat.mk
The post Në Panairin e Arsimit dhe Karrierës studentët e ardhshëm patën mundësi të njihen me programet studimore në universitetet e vendit appeared first on Alsat.
