Gazetar: Zekirja Haxhiu

Nenad Saveski u zgjodh kryeprokuror i ri i shtetit. Për të votuan 66 deputetë, 8 ishin të përmbajtur dhe dy deputetë votuan kundër. Asnjë nga deputetët nuk pati vërejtje personale për biografinë e Saveskit por për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi gjyqësor. Deputetët e opozitës konsiderojnë se Prokuroria deri tani ka vepruar në mënyrë selektive ndërsa me emërimin e Saveskit, dyshojnë se pushteti ka për qëllim të vendos kontroll mbi gjyqësorin.

Si në Sopot, si rasti i Monstrës, rasti Harun Aliut, rasti i Almirit të vogël, rasti i Alfës, i Brodecit. Të gjitha këto raste janë të cilat Prokuroria nuk e ka parë të arsyeshme që të hetojë drejtësinë e duhur por ka kërkuar fajtorë të përshtatshëm, jo fajtor real, deklaroi Skender Rexhepi – Fronti Evropian.

Rreziku më i madh nuk qëndron te biografia por në qëllimin e pushtetit të shndërrojë Prokurorinë në dorë të zgjatur të politikës. Ofensiva aktuale politike e VMRO-DPMNE-së që do të kulminojë me zgjedhjen e Nenad Saveskit si kryeprokuror të ri dhe dorëzimin e propozim ligjit të ri për Prokurori Publike, paraqet përpjekje për vendosje kontroll partiak mbi përndjekjen në shtet, tha Jovana Trençevska – LSDM.

Kryeprokurori i ri, në një intervistë për MIA-n premtoi se do të punojë me transparencë dhe llogaridhënie dhe nuk do të lejojë që asnjë lëndë të ngelet i harruar në sirtarë por do të trajtohen në përputhje me ligjin dhe afatet.

Saveski i cili është me prejardhje nga Gostivari është magjistër i shkencave juridike ndërsa paraprakisht ka punuar si gjykatës në Gjykatën Penale të Shkupit dhe si prokuror publik. /Alsat.mk

The post Nenad Saveski u zgjodh kryeprokuror i ri, për të votuan 66 deputetë appeared first on Alsat.