Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Ish Drejtori i Klinikës së Neurologjisë Igor Kuzamnovski ka ushtruar detyrën për shtatë muaj pa licencë aktive, ndërsa në muajin gusht është emëruar edhe si drejtor i kësaj klinike pa licencë. Nga Oda e Mjekëve bëjnë të ditur se licenca e tij ka pasur vlefshmëri deri më 15 mars të këtij viti, ndërsa të njëjtën, pas publikimit të videos në rrjetet sociale duke përdorur lëndë narkotike, nuk mund t’ia marrin pasi ai nuk ka pasur një licencë valide në fuqi. Kuzmanovski ka dorëzuar kërkesë të re për vazhdimin e licencës, ndërsa Oda ende nuk ka dhënë miratim për të.

“Oda Mjekësore informon se Dr. Igor Kuzmanovski aktualisht nuk ka licencë aktive pune, pasi vlefshmëria e saj skadoi më 15.03.2025, por mjeku ka paraqitur kërkesë për vazhdimin e saj. Lidhur me zhvillimet e fundit në lidhje me Dr. Kuzmanovskin, në këtë kohë mund të informojmë se po shqyrtohen të gjitha aspektet dhe po mblidhen informacione dhe dokumentacion nga institucionet kompetente të cilat do të shqyrtohen nga organet dhe trupat e Odës sa më shpejt të jetë e mundur, pas së cilës do ta informojmë publikun për vendimet e marra dhe masat që do të ndërmerren”, njoftojnë nga Oda e Mjekëve.

As ministri i Shëndetësisë nuk sqaron se si Kuzmanovski është emëruar drejtor klinike pa licencë aktive. Tha se tashmë është formuar komision për shqyrtimin e këtij rasti. Ka kërkuar të veprojë edhe Inspektorati Shëndetësor.

“Ne kemi pasur disa takime të shtunën për këtë rast, gjithashtu kemi komunikuar edhe me Odën e Mjekëve. Tashmë është formuar komision nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Gjithashtu, është kërkuar edhe inspektim i jashtëzakonshëm në atë institucion lidhur me mjekun”, deklaroi Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.

Ndërkohë, drejtor i ri në Klinikën e Neurologjisë është emëruar Jovan Bozhinovski. Emërimi vjen pas shkarkimit të Igor Kuzmanovskit. Ai u shkarkua nga pozicioni i tij nga Ministri i Shëndetësisë pas publikimit të një videoje komprometuese në rrjetet sociale. /Alsat.mk

The post Neurologjia/ Drejtori nuk kishte licencë aktive, i skadoi para 7 muajsh appeared first on Alsat.