Nga 12 tetori i këtij viti, Bashkimi Evropian do të nisë vendosjen graduale të Sistemit për Hyrje/Dalje (EES), i cili pritet të implementohet plotësisht deri në prill të vitit 2026, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Ky sistem digjital përfaqëson një nga reformat më të rëndësishme në menaxhimin e kufijve të BE-së. Ai zëvendëson vulat manuale në pasaporta me regjistrimin elektronik të të dhënave biometrike, përfshirë fotografitë dhe shenjat e gishtave, si dhe regjistrimin e saktë të datave të hyrjes dhe daljes nga vendi.
“EES i referohet të gjithë shtetasve të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së ose zonës Shengen, dhe që udhëtojnë për qëndrime të shkurtra (deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore). Ky sistem përfshin udhëtarët e liruar nga viza për hyrje në BE, si dhe ata që disponojnë vizë për qëndrime të shkurtra. Shtetasit e vendeve anëtare të BE-së dhe të zonës Shengen nuk i nënshtrohen këtij sistemi,” theksojnë nga MPB-ja.
Sistemi do të funksionojë në të gjitha vendkalimet kufitare të 29 vendeve, përfshirë: Greqi, Bullgari, Austri, Gjermani, Francë, Itali, Spanjë, Suedi, si dhe Islandë, Norvegji, Zvicër dhe Lihtenshtajn.
Qëllimet e sistemit EES
Ministria e Punëve të Brendshme shpjegon se EES synon të:
- Rrisë sigurinë e qytetarëve përmes zbulimit më të mirë të dokumenteve të falsifikuara dhe mashtrimeve identiteti;
- Përmirësojë luftën kundër krimit, terrorizmit dhe migrimit ilegal;
- Lehtësojë udhëtimet përmes kontrollimeve kufitare më të shpejta dhe efikase;
- Sigurojë regjistrim digjital të saktë të kohëzgjatjes së qëndrimit, duke eliminuar keqkuptimet e mundshme me vulat manuale.
Gjatë udhëtimit të parë pas implementimit të sistemit, udhëtarët do të kalojnë një proces të plotë regjistrimi që përfshin fotografimin, skanimin e shenjave të gishtëve dhe vendosjen e të dhënave nga pasaporta. Për lehtësim, në vendkalimet kufitare do të ketë pika vetë-shërbimi dhe mundësi regjistrimi paraprak përmes aplikacioneve mobile.
Për udhëtimet e mëtejshme, kontrolli do të jetë shumë më i shpejtë, pasi të dhënat do të jenë të ruajtura tashmë në sistem dhe do të kryhet vetëm verifikimi i tyre.
Kalimi gradual i sistemit
Nga tetori 2025 deri në prill 2026, sistemi do të futet në përdorim gradual. Gjatë kësaj periudhe, disa udhëtarë mund të marrin ende vula në pasaportat e tyre, derisa të gjitha vendkalimet kufitare të kalojnë në regjistrim digjital të plotë. Nga 10 prilli 2026, vulat manuale do të zëvendësohen plotësisht me regjistrime elektronike.
Të gjitha të dhënat do të përpunohen dhe ruhen në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe Rregullat e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), duke garantuar mbrojtje të plotë të privatësisë dhe transparencë në përdorimin e informacionit të mbledhur.
Ministria e Punëve të Brendshme apelon te të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut që planifikojnë udhëtime në zonën Shengen të informohen për rregullat dhe procedurat e reja, në mënyrë që udhëtimet të jenë të sigurta, të shpejta dhe pa vonesa të panevojshme.