Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpallur një thirrje publike për realizimin e të drejtës për vakt të subvencionuar studentor për vitin akademik 2026/2027 dhe ka ftuar të gjithë studentët që i plotësojnë kushtet të aplikojnë.
Ata duhet të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, studentë të rregullt të regjistruar në ciklin e parë, ciklin e dytë ose në studime të integruara në universitetet shtetërore dhe private, si dhe të mos kenë të ardhura mujore më të larta se paga minimale neto në Republikë për vitin aktual, nga çfarëdo burimi.
Kandidatët duhet të aplikojnë në mënyrë elektronike në https://e-uslugi.mon.gov.mk/ dhe gjatë aplikimit të plotësojnë formularët “Aplikim për fitimin e të drejtës për vakt të subvencionuar studentor” dhe “Deklaratë për saktësinë e të dhënave të futura në aplikimin për fitimin e të drejtës për vakt të subvencionuar studentor”, t’i nënshkruajnë dhe t’i bashkangjisin aplikimit elektronik në të njëjtën platformë.
Afati i aplikimit për studentët aktualë, si dhe për personat që do të regjistrohen dhe do të fitojnë statusin e studentit në vitin akademik 2026/2027, është nga 26 deri më 31 gusht 2026.
Gjithashtu, duke filluar nga tetori, çdo muaj nga data 1 deri më 5 do të hapet afati i aplikimit për studentët që nuk e kanë realizuar të drejtën për vakt të subvencionuar studentor sipas Thirrjes Publike, ose të cilëve u ka pushuar e drejta për shkak të mospërmbushjes së ndonjërit prej kritereve, në momentin kur ata i plotësojnë përsëri kriteret e përcaktuara në këtë thirrje. Të gjithë studentët që e fitojnë të drejtën e vaktit studentor do të fillojnë të marrin mjetet në muajin pasues pas përfundimit të muajit në të cilin kanë aplikuar, njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Vakti i subvencionuar studentor është mbështetje financiare në vlerë prej 140 denarësh, që studenti e merr nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për blerjen e ushqimit të gatshëm.
Përfituesit kanë të drejtë ta përdorin shërbimin nga e hëna deri të shtunën. Nëse përfituesi nuk e shfrytëzon të drejtën e vaktit në periudhën nga e hëna deri të shtunën, shuma mbetet e disponueshme në llogari deri në fund të javës aktuale, përfshirë të shtunën. E drejta për vakt të subvencionuar studentor nuk mund të ushtrohet në periudhën nga 1 korriku deri më 1 tetor në vitin në të cilin është fituar e drejta, si dhe gjatë festave shtetërore dhe ditëve jopunuese.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nënshkruar marrëveshje me Sparkasse Banka AD Shkup për realizimin e pagesave të vaktit të subvencionuar studentor. Prandaj, të gjithë studentët që fitojnë këtë të drejtë do të duhet të nënshkruajnë një kontratë me Sparkasse Banka për hapjen e një llogarie të veçantë, të lidhur me një kartë pagese të dedikuar për vaktin e subvencionuar studentor, pavarësisht nëse kanë qenë më parë klientë të kësaj banke. Afati dhe mënyra e tërheqjes së kartave do të shpallet më vonë nga Ministria dhe Sparkasse Banka.
Thirrja Publike e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës përmban informacione të detajuara për kushtet e realizimit të së drejtës për vakt të subvencionuar studentor dhe për mënyrën e aplikimit. Për të gjitha pyetjet në lidhje me regjistrimin e përfituesve, Ministria ofron mbështetje përmes Sektorit për Standardin e Nxënësve dhe Studentëve, me mundësi kontakti nëpërmjet postës elektronike.
