“Ata që frikësohen kanë arsye për frikë”, tha kryeministri Hristijan Mickoski duke i komentuar reagimet për emërimin e Bojan Hristovskit si drejtor i ri i Agjencisë për siguri kombëtare. Hristovskit, iu është marrë certifikata e sigurisë me pretekst të përfshirjes në ndodhive të 27 prillit në Kuvend. Mickoski thotë se Hristovski tani e ka certifikatën e duhur ndërsa pushteti i mëparshëm vetëm deshi t’i shkaktojë dëm me lajme të rrejshme dhe me keqpërdorim të institucioneve.

“Pasi u konstatua padrejtësia që ia kanë bërë Bojan Hristovskit, për shkak se nuk ia dhanë certifikatën e sigurisë, u konstatua keqpërdorim nga ana e një pjese të kryesisë, para se gjithash nga ana e Agjencisë për kundërzbulim”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Mickoski tha se nuk po sheh arsye se pse Hristovski ta mos e kryejë me sukses detyrën në krye të ASK-së, për shkak se përvojën më të madhe në punë e ka pikërisht në sektorin e sigurisë. Së fundmi në publik ishte i njohur si drejtor i Parkingjeve Shkup, por pas mospajtimeve me Danella Arsovskën tashmë nuk e kryen funksionin e tij. Opozitarja LSDM më shumë reagon për faktin se ai kohë më parë ishte në krye të komitetit të VMRO-DPMNE-së dhe akuzojnë për partizim. LSDM kërkon që pushteti të emërojë drejtor të ri të ASK-së.

“Me emërimin e personit që deri në 2023 ishte kryetar i komitetit të VMRO-DPMNE-së, kjo parti në mënyrë të drejtpërdrejtë e shkel nenin 10 nga ligji për ASK. Edhe po të tërhiqej formalisht nga partia, vetë fakti se kohë më parë ishte në funksion të lartë partiak, është tregues i qartë se kjo zgjidhje është partiake, jo profesionale dhe kundër ligjit”, tha Mile Taleski nga LSDM.

Në seancë të qeverisë u shkarkua ish drejtori Zare Milloshovski i cili në këtë funksion ishte deri në 2022. ASK filloi të funksionojë në 2019, pas reformave në sektorin e sigurisë me çka u ndal të funksionojë Drejtoria për siguri dhe kundërzbulim.