Studentë, profesorë, zyrtarë dhe qytetarë të shumtë u mblodhën aty ku dikur ishte ish-kazerma “Ilinden”, por tani po bëhet tempull i dijes dhe shkencës.

U hodhën themelet e kampusit të universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.

“Sot nuk nisim vetëm ndërtim objektesh. Sot nisim ndërtimin e së ardhmes. Andaj jam i bindur se ky kampus do të bëhet vendi ku do të krijohet profesorët e ardhshëm, lider dhe vizionarë, por edhe shkencëtarë”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

“Me një vlerë prej 42 milionë eurosh, ky projekt është investimi më i madh në arsimin shqip në Maqedoninë e Veriut dhe ndër investimet më të mëdha në rajon”, u shpreh Izet Mexhiti – kryetar i Komunës së Çairit.

Sipërfaqja totale ku shtrihet kampusi është 31 mijë metra katror. Pritet që punët të përfundojnë për 5 vjet.

“Respektivisht në vitin 2030, në këtë vend të kemi kampus modern universitar, ku nuk do të jetë çështje nëse është e mundur përmbushja e dispozitave nga ligji i ri për arsimin e lartë që për momentin është lëndë e debatit të gjerë në publik”, potencoi Vesna Janevska – ministre e Arsimit dhe Shkencës.

E zëvendësministra e transportit, njëherit edhe profesoreshë në këtë universitet, rikujtoi vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar që nga themelimi i universitetit.

Kampusi do të përbëhet nga objekte bashkëkohore akademike, amfiteatro, hapësira për studentë, salla sportive, pishinë dhe infrastrukturë moderne që siguron kushtet e nevojshme për mësim, kërkim shkencor, zhvillim akademik dhe avancim profesional të studentëve dhe stafit mësimor-shkencor.