Gazetar: Angel Dimovski

„Shëtitorja e lumit Vardar është në gjendje të mjerueshme. Anije druri të djegura, elemente urbane të thyera dhe këndet e lojërave të shkatërruara. Ndërsa në vetë lumin  sasi të mëdha mbeturinash.“

Një nga anijet që ndodhet në lumin Vardar, më saktësisht ajo pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe për të cilën para dy vjetësh u hap kontest gjyqësor për largimin e saj, ende pret të hiqet. Kjo anije tashmë është e shkatërruar dhe në gjendje katastrofale. Qyteti i Shkupit në shtator 2021, kur drejtohej nga Petre Shilegov, njoftoi se anija do të zhvendosej brenda një muaji, por pronari paditi dhe e gjithë procedura prej atëherë është zvarritur. Kontratatat për përdorimin e anijeve që Qyteti i Shkupit i ka nënshkruar me disa kompani skadojnë në vitin 2035, dhe në rast të ndërprerjes së njëanshme të këtyre kontratave, Qyteti duhet të paguajë dëmshpërblim rreth 6 milionë euro.

Dërguam pyetje edhe tek Qyteti i Shkupit për statusin e vendimit për largimin e anijes, por deri në fillim të këtyre lajmeve nuk morëm përgjigje.
Përveç shëtitores, edhe rreth Vardarit gjendje e rëndë, bar i gjatë, ndërsa këndet e lojërave janë lënë të shkatërruara. Shishe plastike dhe mbeturina lundrojnë mbi ujë, dhe vendet që dikur shërbenin për rekreacion sot duken si rrënoja të harruara.

Qytetarët thonë se lumi kurrë nuk ka qenë kaq i ndotur, tregojnë se në të rininë e tyre janë larë në të, ndërsa tani as peshq nuk ka.

„Ata nuk bëjnë asgjë, unë jam këtu prej 61 vjetësh, këtu kam lindur. Është e dëmshme për peshkun, ka shumë mbeturina. Unë kur isha fëmijë, që nga mosha 9 vjeçare isha pranë ujit, mund të pija ujë nga Vardari,“ tha një qytetar.


„Jo, kurrë, ne jemi larë, unë jam rritur pranë Vardarit, ishte i pastër dhe ujë mund të pinim, tani peshq më nuk ka.“
„Duhet të ndryshojë, duhet të pastrohet, së pari të pastrohet lumi, filtrat, atë që e dëgjojmë prej vitesh se duhet të vendosen. Të shohim peshq, të shohim ndonjë karkalec lumi.“

Pyetëm në Qytetin e Shkupit kur planifikojnë të pastrojnë shtratin e lumit Vardar, por nuk morëm përgjigje. /alsat.mk

The post Nga Komuna e Shkupit nuk ka përgjigje se kur do të pastrohet shtrati i lumit Vardar dhe nëse do të hiqet një nga anijet, në gjendje të mjerueshme appeared first on Alsat.