Jeta mund të ndryshojë në një çast. Një ditë je në majat e suksesit, ditën tjetër ndihesh sikur nuk ekziston. Diçka e tillë i ka ndodhur Alejandro Gómezit, i njohur si Papu Gómez, të cilit dy vite më parë i ndryshoi jeta përgjithmonë. Pas triumfit me Argjentinën në Katar dhe fitimit të titullit kampion bote, gati një vit më vonë u përball me një nga sfidat më të mëdha të jetës: pezullimin 2-vjeçar për doping.
Në tetor të vitit 2023, vetëm pak ditë pasi kishte firmosur me Monza, doli në dritë se Papu kishte rezultuar pozitiv në një test antidoping kur ishte ende pjesë e Sevilla, në nëntor të vitit 2022. Pas kësaj, klubi dhe lojtari ranë dakord për të ndërprerë kontratën në verën 2023. Si lojtar i lirë, Gómez iu bashkua Monza, por lajmi për dënimin 2-vjeçar ndryshoi gjithçka.
Në deklaratën e Monza-s konfirmohej prania e substancës ‘terbutalinë’ në mostrat biologjike të lojtarit. Kjo substancë ishte marrë për të qetësuar një krizë bronkospazmi në tetor 2022. “Pozitiviteti është rezultat i konsumimit të pavetëdijshëm”, – thuhej në deklaratë.
Në një intervistë në Argjentinë, Papu foli për periudhën e vështirë që po kalon dhe përpjekjet për t’ia nisur nga e para: “Po punoj të pranoj që ‘Papu Gómez’ po mbaron, po pushon së ekzistuari dhe tani jam një njeri i zakonshëm, një baba familjeje. Po përballem me egon time, po përpiqem ta shuaj dhe të jetoj si ‘Alejandro’. Më ka rënë bota mbi kokë”.
Gómez rrëfeu momentet më të vështira: “Nga të qenit kampion bote, sot nuk më telefonon askush. Është e vështirë të jetosh në këtë situatë. As kur je lart nuk je më i miri, as tani nuk je më i keqi. Duhet të prioritizosh gjëra të tjera… Pas ndëshkimit isha i motivuar për të rifilluar, por kur mora lajmin për dënimin maksimal, ndjeva sikur më ra bota mbi kokë”.
Incidenti që çoi në dënimin e tij nisi nga një shurup për kollën, të cilin Gómez e konsumoi pa e raportuar në kontrollin antidoping: “Isha në Sevilla, natën vonë, pas një ndeshjeje. Zakonisht merrja një pilulë për të fjetur, por atë natë kisha një sulm të rëndë kolle. Gruaja më dha shurupin e fëmijës tonë më të vogël, Milo. Piva një kupë të vogël dhe më kaloi”. Kur mjeku e pyeti në testin antidoping nëse kishte marrë diçka, ai e kishte harruar krejtësisht.
Sot, Papu po stërvitet me një ekip të Serie C në Itali, duke ëndërruar rikthimin: “Katër ditë para finales së Botërorit, mora një email ku thuhej se kisha rezultuar pozitiv. Ishte një moment i tmerrshëm. Ndërsa festonim, unë mendoja çfarë do të ndodhte…”
Përballja me pasojat është një rrugë e gjatë, por Papu Gómez po përpiqet të rikthehet dhe të ndërtojë një jetë të re.
The post Nga “parajsa” në “ferr”, rrëfehet Papu Gómez: Kalova nga kampion bote në të mos telefonuarin nga askush… appeared first on Telesport.
