Jehoja e sirenave depërton përmes tymit të dendur, ndërsa ekipet e shpëtimit zhvillojnë betejë të pamëshirshme me kohën mes rrënojave. Kjo nuk është katastrofë reale, por skenar i stërvitjes së madhe ndërkombëtare “Bullgaria 2025”, e mbajtur afër qytetit Montana. Ushtarë, shkencëtarë dhe shpëtimtarë nga e gjithë bota së bashku përsosnin aftësitë e tyre për reagim gjatë tërmeti të madh të simuluar, por edhe ndaj kërcënimeve pasuese si sulme kibernetike dhe dezinformata.

Mes tyre ishte edhe ekipi për kërkim urban dhe shpëtim nga Maqedonia, i cili së bashku me kolegët nga Azerbajxhani dhe Italia stërvitej në mision shpëtimi në tunel të rrënuar – një nga detyrat më të ndërlikuara.

“NATO, së bashku me Bullgarinë, është nikoqire e stërvitjes ndërkombëtare me 28 aleatë, 18 partnerë dhe rreth 14 organizata ndërkombëtare I kombinojmë të gjitha këto disiplina: kërkim urban dhe shpëtim, shpëtim në ujë, mbrojtje kimike, biologjike dhe radiologjike, si dhe ekipe për ndihmë të shpejtë mjekësore, që të punojnë së bashku dhe të ndihmojnë në përballimin me katastrofa dhe kriza natyrore dhe artificiale”, tha Katrin Vanhame, ko-drejtoreshë e stërvitjes, NATO.

Nga zbulimi ajror dhe shpëtimi në ujë, deri te operacionet me zhytës dhe reagimi gjatë incidenteve kimike. Çdo ekip solli ekspertizën e vet, por sfida e vërtetë ishte të koordinoheshin procedurat, pajisjet dhe komunikimi mes njerëzve nga kultura dhe gjuhë të ndryshme.

“Këtu keni krejtësisht kombe të ndryshme, kultura të ndryshme, gjuhë të ndryshme. Kjo shumë ndihmon që ta përmirësoni mënyrën e të menduarit, mënyrën e udhëheqjes së misioneve, mënyrën e punës në terren me njerëz të tjerë – dhe kjo shumë ndihmon. Nuk ka shumë mundësi që të mësoni diçka të tillë”, tha Mario Begiq, udhëheqës i ekipit, Shërbimi kroat i shpëtimit malor.

Për Ukrainën, shërbimet e emergjencës të së cilës çdo ditë përballen me katastrofa reale, një bashkëpunim i tillë është me rëndësi të paçmueshme. Ata ndanë përvojat e tyre, por edhe mësonin nga praktikat më të reja të aleatëve.

“Bashkëpunimi me vende të tjera është shumë i rëndësishëm për ne. E NATO e jep pikërisht atë mundësi. I mblodhi shumë vende dhe ishim shumë të interesuar të shohim çfarë është e re, të njihemi me pajisje të reja, por edhe të tregojmë sistemet tona, atë që mundemi ta ofrojmë për t’i ndihmuar vendet e tjera në rast të gjendjes së jashtëzakonshme”, tha Oleksandar Palienko, udhëheqës i ekipit HBRN, Shërbimi shtetëror për emergjenca i Ukrainës.

Në fund, përfundimi i të gjithë pjesëmarrësve është i njëjtë – mësimet e marra këtu, në kushte të simuluara, do të shpëtojnë jetë të vërteta nesër. Koordinimi dhe besimi i ndërtuar në këto disa ditë janë themeli i sigurisë së përbashkët kur katastrofa do të godasë pa paralajmërim.