Sulmoi një polic në një lokal në parkun e qytetit të Shkupit, e më pas u arrestua. Bëhet fjalë për një person nga Nigeria, me pasaportë amerikane, i cili u arrestua dje në orët e para të mëngjesit. Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit janë gjetur armë dhe municione, për të cilat nuk kishte leje.
“Më 21.12.2025, në orën 04:30, para një objekti hotelierik në Parkun e Qytetit në Shkup, zyrtarë policorë nga SPB-Shkup e kanë privuar nga liria U.I.U. (37) nga Nigeria (me pasaportë dhe letërnjoftim amerikan), për shkak se ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor i cili po kryente detyrën zyrtare. Gjatë kontrollit ndaj tij janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë “Glock”, dy karikatorë dhe 30 fishekë, për të cilat nuk posedonte leje. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojë parashtresë përkatëse”, thonë nga MPB.
Nga Prokuroria Themelore Publike Shkup sqarojnë se ai i shkaktoi lëndime trupore policit dhe më pas u mposht. Gjatë kontrollit u gjet një pistoletë gjysmëautomatike “Glock” me kalibër 9 mm, si dhe dy karikatorë me nga 30 fishekë.
“Pasi u vërtetua se shtetasi i huaj po qëndronte në një hotel në Shkup, prokurori publik mori një urdhër kontrolli dhe në dhomën ku po qëndronte i dyshuari u gjet edhe një sasi e madhe armësh dhe municionesh – një tjetër pistoletë Glock, tre karikatorë me nga 15 fishekë, 75 fishekë shtesë në qese, një set për pastrimin e armëve, tre thika, si dhe sende të tjera”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike-Shkup.
Prokurori publik kërkoi nga gjyqtari i procedurës paraprake të përcaktojë masën e paraburgimit për të dyshuarin, pasi ekziston rrezik real për arratisje, mundësia e ndikimit në procedurë dhe fshehjes së provave, si dhe rreziku i kryerjes së një vepre tjetër penale.
Për rastin në fjalë kërkuam përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme, se a kanë informacione për personin në fjalë dhe cilat janë arsyet për ardhjen e tij, por deri në këtë edicion të lajmeve nuk morrëm përgjigje.
