Ministri i Bujqësisë Cvetan Tripunovski nuk do të japë dorëheqje pas arrestimit të drejtorit aktual të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi, Ilija Stoilev, për marrje ryshfeti. Përgjegjësi kërkoi opozitarja LSDM, por Tripunovski thotë se Agjencia është institucion i veçantë. Hetimi tregoi se Xhevdet Nasufi, ish-ministër i drejtësisë dhe i vetëqeverisjes lokale në qeverinë e Ljupço Georgievskit, i ka premtuar 50 mijë euro Stoilevit për kompaninë e Nasufit e cila nuk i plotëson kushtet për të marrë para nga IPARD. Policia e kapi Stoilevin me 400 eurot e para të dhëna dorazi.
“Opozita bën thirrje për dorëheqjen time, por dua të theksoj se Agjencia është institucion i veçantë, e cila ka menaxhment të veçantë dhe organ drejtues të veçantë që punon sipas planit dhe aktiviteteve të tyre, kështu që nuk shoh asnjë lidhje. Prandaj apeloj që ky rast të hetohet deri në fund dhe nëse ka përgjegjësi të veprohet në pajtim me ligjin dhe procedurën”, tha
Cvetan Tripunovski – Ministër i Bujqësisë.Ministri thotë se arrestimi i Stoilevit është tregues se ligjet duhet të vlejnë në mënyrë të njëjtë për të gjithë, pavarësisht nëse dikush është funksionar aktual apo i mëparshëm, ndërsa Qeveria ka treguar mos-selektivitet në luftën kundër korrupsionit.
LSDM paralajmëron – pas skandalit të korrupsionit është e mundur që Bashkimi Evropian të ndalojë financimet në programin IPARD-3, me vlerë 128 milionë euro.
“Pas këtij skandali, sipas informacionit që kemi, tashmë ka një paralajmërim dhe është e mundur që Bashkimi Evropian të ndalë financimet në programin IPARD-3 nga Komisioni Evropian. Në rrezik janë vendosur 128 milionë euro nga e gjithë programi 7-vjeçar, para që duhej të ishin motor i bujqësisë sonë”, u shpreh Lupço Nikollovski – LSDM.
Tripunovski, nga ana e tij, siguron se Agjencia për mbështetje financiare në bujqësi do të vazhdojë të punojë pa pengesa. “Nuk shoh rrezik për fondet IPARD dhe pagesat kombëtare që i kemi si shtet”, thotë ai. Ndër të dyshuarit në skandalin me agjencinë e pagesave është edhe një punonjës shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, si dhe një referent tatimor i punësuar në DAP. Nasufi, si menaxher i kompanisë, ndiqet për dhënie ryshfeti dhe dhënie shpërblimi për ndikim të paligjshëm. Drejtori Stoilov për marrje ryshfeti. Të dy janë në paraburgim 30-ditor së bashku me dy të dyshuar të tjerë, ndërsa e pesta e dyshuar është në arrest shtëpiak.

