Gazetare: Ajnur Bafqari
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski thotë se nuk ka dilema se a do të ketë zgjidhje rrugore deri në Strugë apo pikën kufitare, Qafë-thanë, por po shqyrtohet se në cilën trase do të bëhen lëvizjet. Ai para takimit të punës me përfaqësues të delegacionit të BE-së, kushtuar aktiviteteve dhe planeve për projektet e Korridorit 8, theksoi se për këtë çështje do të gjendet zgjidhje edhe me përfaqësuesit e UNESCO-së në fund të majit apo fillim të qershorit.
“E dini atë sfidën që e kemi me UNESCO-n, dua të jem i qartë, nuk është vendosur aspak në pyetje se a do të ketë zgjidhje rrugore në formë autostradës deri në Strugë, apo deri te pika kufitare Qafë- thanë, çështja është vetëm se sipas cilës trase do të lëvizim dhe kjo është diçka që do ta diskutojmë edhe sot me përfaqësuesit e bashkimit evropian por edhe gjatë vizitës që do ta kemi me UNESCO-n, i kemi dy data që janë ofruar fundi i majit dhe mesi i qershorit, kështu që së bashku do të gjejmë edhe këtu zgjidhje,” tha ministri i transportit, Aleksandar Nikollovski.
Nikollovski tha se punimet në Korridorin 8 po avancojnë dhe projekti pritet të kushtojë rreth 5 miliardë euro. Ai pret përkushtim edhe nga Shqipëria e Bullgaria.
“I gjithë Korridori 8 do të kushtojë rreth pesë miliardë euro në autostrada dhe në hekurudha dhe shpresoj që me të njëjtën përgjegjësi do të punojnë edhe fqinjët tanë Shqipëria dhe Bullgaria, sepse nuk ka kuptim që ne të shpenzojmë kaq shumë para, ndërsa nga ana tjetër të mos ketë aktivitete. Prandaj shpresoj që të ketë përkushtim edhe nga ana e tyre, me qëllim që së bashku t’i përfundojmë projektet” deklaroi Nikollovski.
Nikollovski theksoi se është shpallur tenderi për përzgjedhjen e mbikëqyrjes për fazën e tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë, ndërsa në dhjetë ditët e ardhshme pritet të shpallet edhe tenderi për përzgjedhjen e kontraktorit, pas së cilës gjatë verës do të fillojnë aktivitetet ndërtimore për segmentin nga Kriva Pallanka deri te tuneli i përbashkët./Alsat.mk.
The post Nikollovski: Struga do të lidhet me korridorin 8, zgjidhje pas takimit me UNESCO-në appeared first on Alsat.
