Ka startuar sot turneu ndërkombëtar i mundjes “Ranking Series Muhamed Malo”, një event i organizuar nga Federata Shqiptare e Mundjes në nder të një prej ikonave të këtij sporti. Një turne që do të zgjasë deri më datën 1 mars dhe që ka sjellë në Shqipëri 900 mundës nga e gjithë bota.

Në ditën e parë të garave, janë zhvilluar sfidat e stilit të lirë, ku në tapet kanë garuar disa mundës kuqezi. I vetmi që ka shkëlqyer është mundësi Zelimkhan Abakarov, që në peshën 61kg i dha vendit tonë medaljen e bronzit.

Në sfidën e parë, ai mundi 2-0 Gulomjon Abdullaev të Uzbekistanit, ndërsa në sfidën e dytë ai triumfoi 10-0 ndaj moldavit Leomid Colesnic, duke shkuar në gjysmëfinake. Këtu, Abakarov u mposht 8-5 nga rusi Chermen Tavitov, duke mos shkruar dot në finale.

Në sfidën për medaljen e bronzit, mundësi kuqezi triumfoi 3-0 ndaj kazakut Merey Bazarbayev, duke varur në qafë medaljen e bronztë. Në këtë peshë garoi edhe mundësi Ersjan Kashiku, që u mund që në start nga amerikani Nathan Tomasello.

Në peshën 57kg, mundësi kuqezi Ajndi Kryeziu, u mund që në sfidën e parë 10-0 nga indiani Akshay Dhere. Në peshën 65kg, mundësi Endrio Avdyli fiton sfidën e parë ndaj Bilol Sharip të Kirgistanit, por më pas humbet 16-4 ndaj indianit Sujeet Sujeet. Në ripeshkim, Avdyli humbi 10-0 edhe ndaj gjeorgjianit Nika Zakashvili.

Ka zhgënjyer mundësi Islam Dudaev, që në peshën 70kg, u mund 8-3 që në sfidën e parë nga Maiis Aliyev i Kazakistanit. Në peshën 86kg, mundësi Ibrahim Sula u eliminua që në start, pasi u mund 10-0 nga Osman Gocen i Turqisë. Të enjten do të zhvillohen garat e tjerra të stilit të lirë.

The post Nis turneu i mundjes “Ranking Series Muhamed Malo”, Abakarov i dhuron medalje bronzi Shqipërisë appeared first on Telesport.