Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski dhe kryetari i komunës së Butelit, Darko Kostovski sot përuruan nisjen e punimeve për ndërtimin e një mega parku në Butel, përcjell TV21. Gjorgjievski tha se ky është një nga katër mega parket e premtuara në programin e tij.

“Hapësira e braktisur përgjatë bulevardit “Hristijan Todorovski – Karposh” do të shndërrohet në një hapësirë të gjelbër moderne dhe funksionale – një mega park me sipërfaqe të pasura me gjelbërim, shesh, kënde për fëmijë, shtigje për ecje dhe zona fitnesi, me përmbajtje të dedikuara për të gjitha moshat, që do të zërë një sipërfaqe prej 8,000 m²”, tha mes tjerash Gjorgjievski.
Gjorgjievski tha se në Butel pritet një valë e vërtetë infrastrukturore.

“Do të ndërtojmë një rrethrrotullim në kryqëzimin e rrugëve “Butelska” dhe “Aleksandar Urdarevski”, si pjesë e strategjisë për rregullimin e 50 kryqëzimeve kritike në Shkup. Qëllimi është rritja e sigurisë dhe rregullit në trafikun rrugor dhe arritja e vizionit për një qytet pa aksidente fatale deri në vitin 2030. Paralelisht me këtë, do të kryhet rindërtimi i plotë i rrugëve “Butelska” dhe “Radishanska” me asfalt të ri, shtigje moderne për këmbësorë, ndriçim rrugor dhe kanalizim atmosferik”, shtoi Gjorgjievski.
Në këtë komunë, Gjorgjievski tha se do të punohet edhe në Zonën Industriale të Vizbegut.

“Ndër projektet më të mëdha që do të pasojnë janë rindërtimi i “Rrugës së Vjetër të Kaçanikut” dhe zhvillimi i Zonës Ekonomike në Vizbeg, si dhe rivitalizimi i lumit Serava me korridore të gjelbra të rregulluara, shtigje për biçikleta dhe këmbësorë”, shtoi Gjorgjievski.

