Një kryevepër arkitekturore që ngatërrohet me natyrën dhe mahnit vizitorët
Falë përdorimit mbresëlënës të betonit të përforcuar dhe xhamit, kjo ndërtesë duket se zhytet dhe del jashtë ujit dhe ndërsa ecni përreth ndërtesës, ju duket sikur po rrëshqitni mbi ujë.
Muzeu i Artit Zaishui ndodhet në zonën e re të zhvillimit të qytetit Rizhao në Provincën kineze Shandong. Kjo ndërtesë paksa e lakuar në një liqen artificial të gjatë rreth një kilometër është projektuar nga firma e arkitekturës junya.ishigami+associates.
Muzeu është i integruar në mënyrë delikate në mjedis – duke thithur, theksuar dhe pasqyruar konturat e natyrës përreth në të gjitha stinët dhe në kushte të ndryshme të motit. Gjatë mëngjeseve me mjegull, për shembull, muzeu zhduket nga horizonti.
Ndërtesa shtrihet në rreth 20.000 metra katrorë, është e lidhur me liqenin artificial mbi të cilin “qëndron pezull” dhe përfaqëson një lloj kalimi nga njëra në anën tjetër të brigjeve.
“Dëshiroja ta paraqes ndërtesën si një peizazh të ri, ta ndërthurja me ambientin kinez për të krijuar përvojën e ecjes përmes liqenit – e ngjashme me shëtitjen buzë plazhit, ku njerëzit mund të ndiejnë esencën e ujit”, ka thënë arkitekti Junya Ishigami në një intervistë për designboom, përcjell Telegrafi.
Si të ishit duke rrëshqitur mbi ujë
Falë përdorimit mbresëlënës të betonit të armuar dhe xhamit, ky objekt duket sikur zhytet dhe del nga liqeni, ndërsa duke ecur brenda tij të krijohet ndjesia se po rrëshqet mbi ujë.
Në disa pjesë, tavani është i lartë dhe lejon shumë dritë natyrale të depërtojë, ndërsa në vende të tjera është i ulët, duke u reflektuar në ujë dhe krijuar pamje mahnitëse, pothuajse sureale.
Ndërtesa e muzeut përfshin një hapësirë ekspozite fleksibël, aktualisht aty mund të vizitohet një ekspozitë mbi çokollatën dhe temat e saj të lidhura, e cila mund të përshtatet sipas nevojave. Muzeu përfshin gjithashtu një qendër vizitorësh dhe një qendër tregtare.
https://youtube.com/shorts/I72CKzErGAM?si=kxWbDA1r6t2F3bJD
The post Një kilometër mbi ujë: Muzeu që zhduket në mjegull dhe shfaqet mbi liqen, po lë botën pa fjalë appeared first on Alsat.