Gjashtë muaj pas dorëzimit, Prokuroria Publike akoma nuk ka arritur ta dëshmon veprën penale për të cilën po dyshohet ish zëvendëskryeministri, Artan Grubi e që po mbahet nën masa kujdesi. Organi i akuzës akoma nuk ka arritur të dëshmon qëllimin e Grubit për të kryer vepër penale në cilësinë sa ishte zëvendëskryeministër i parë. Deri tani gjithçka që është thënë për opinionin është njoftimi se Grubi dhe mbrojtja e tij juridike janë duke u njohur me provat në procedurën hetimore, por mbi një vit e gjysmë pas kallëzimit penal, prokuroria nuk po arrin ta përkthen në akuzë ose ta heshtë poshtë dyshimin për “mashtrim në shërbim”, hetim që i referohet organizimit të lojërave të fatit dhe tenderit për aparate VLT.

Grupi hetimor i prokurorisë ka marrë në konsideratë të gjitha dëshmitë, por pavarësisht se rrethanat japin pak indikacione për veprën penale, organi i akuzës ka mbetur duarkryq. Mbi veprimin për të cilin dyshohet ekskluzivisht Grubi ishte marrë vendim në mënyrë kolektive në mbledhje të Qeverisë. Këtë e dëshmon edhe fakti se në kallëzimet e para ishte përfshirë edhe ish kryeministri Dimitar Kovaçaevski. Paraprakisht rregullimi i industrisë ishte bërë përmes ndryshimeve ligjore për të cilat: kishte kërkesë për interpretim autentik nga Kuvendi, ligji kaloi në Kuvend, u kthye në lexim të tretë, u dekretua nga presidenti dhe hyri në fuqi. Informacioni i kaluar në Qeveri kishte ardhur i gatshëm nga Lotaria Shtetërore, ndërsa ekzekutivi kishte vendosur në mënyrë kolektive.

Në dhjetor të vitit 2024 Grubi kishte nuhatur ndjekjen penale ndaj tij. U largua nga shtetit për të njoftuar më 15 dhjetor se është për vizitë private dhe do të kthehet. U paraqit në pikën kufitare Ballcë më 23 shkurt të këtij viti, ndërsa mbi bazën e informacioneve të klasifikuara nga Shërbimet e Sigurisë se rrezikohet jeta e tij dhe e familjes së tij dhe për këtë arsye ka bazë arresti shtëpiak.

Bashkë me Grubin të dyshuar janë edhe ish drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami i cili gjithashtu ndodhet në arrati dhe katër persona të tjerë në cilësinë e krerëve të komisioneve për furnizime publike në Lotarinë Shtetërore. /Alsat.mk

The post Një vit e gjysmë hetime, ende pa epilog për Artan Grubin appeared first on Alsat.