U bënë një vit e gjysmë që kur u ndërprenë punimet e ndërtimit të rrjetit të kanalizimit nga fshati Zajaz e deri në qytetin e Kërçovës, konkretisht fshatin Drugovë. Edhe pse u fillua me intensitet të përshpejtuar, për një moment gjithçka u la hapur, e gjithë kjo sepse falimentoi kompania dhe Banka nga Azerbejxhani të cilat fituan projektin për ndërtim.
“Sa i takon kanalizimit problemi është se është një kolektor komunal që do ti përfshijë të gjitha ujërat e zeza dhe ata përmes një kolektori do të dalin në një stacion filtrues i cili është i ndërtuar dhe është në funksion, megjithatë kur ka filluar projekti, kanë qenë të ndara 19 milionë euro nga të cilat janë shfrytëzuar diku 3 milionë e diçka dhe projektin e ka punuar një kompani nga Azerbajxhani që ka falimentuar, kërkova të shoh a është aktivizuar garancinë bankare nga këtu sepse duhet bërë ligjërisht por nuk mund të aktivizojnë sepse paska bankrotuar edhe banka”, tha Aleksandar Jovanovski.
Kryetari i Komunës thotë se pasi kanë mësuar këtë situatë për të cilën TV21 ka raportuar, edhe para një viti iu kanë lindur shumë pikëpyetje dhe për këtë i është drejtuar Ministrisë së Mjedisit.
“Ministria e Mjedisit Jetësor, kur e pa se çfarë ka ndodhur, i ka ngrirë pjesën e mbetur të parave – rreth 15 milionë euro. Dy herë kam qenë ne këtë ministri konkretisht për këtë problem dhe ata janë të hapur të na dalin në ndihmë, megjithatë paratë janë ngrirë në një llogari e cila është e dedikuar për këtë punë dhe insistoj që sa më shpejt të zgjidhet ai problem, sepse nuk e dija sa është kompleks. Mendoja se ne me para te Komunës do ta rregullonim këtë problem edhe me Drugovën edhe me Zajazin, megjithëse problemi është kompleks nga vetë projekti dhe nga vetë financimi”, deklaroi Jovanovski.
Jovanovski tha se ka marrë premtime nga Ministria e Mjedisit Jetësor se me ato mjete do të mundohen sa më shpejt të rregullojnë dokumentacionin të hapin tenderimin dhe të zgjidhet sa ma shpejt problemi me rrjetin e kanalizimit i cili fillon nga fshati Zajaz dhe përfundon në Drugovë të Kërçovës.
