
Me rastin e njëvjetorit të tragjedisë së rëndë në diskotekën “Pulse” në Koçan, në Kuvend u mbajt sot një seancë përkujtimore ku morën pjesë deputetë, ministra dhe drejtuesit më të lartë të shtetit.
Në këtë seancë morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova dhe Kryeministri Hristijan Mickoski.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Gashi theksoi se tragjedi të tilla duhet të shërbejnë si moment reflektimi për institucionet dhe shoqërinë.
“Pas një viti, jemi mbledhur për të kujtuar. Jo si qeveri dhe opozitë, por si një shoqëri që është lënduar thellë nga kjo tragjedi. Duhet t’u dërgojmë një mesazh familjeve se nuk janë vetëm në këtë dhimbje”, tha ai.
Sipas tij, përgjegjësia e institucioneve në raste të tilla është shumë e madhe dhe drejtësia duhet të vihet në vend me profesionalizëm dhe transparencë të plotë.
“Institucionet – Prokuroria, gjykatat, Ministria e Brendshme dhe organet hetimore – duhet ta trajtojnë këtë proces me pavarësi dhe profesionalizëm. Drejtësia nuk duhet të jetë as shumë e shpejtë, por as shumë e vonuar. Vetëm e vërteta dhe drejtësia mund të sjellin pak paqe për familjet dhe shoqërinë”, theksoi Gashi.
Ai shtoi se tragjeditë nuk duhet të shfrytëzohen për përçarje politike, por për unitet dhe solidaritet.
“Nuk jam këtu për të justifikuar askënd apo për të mohuar thashethemet që përpiqen ta shfrytëzojnë këtë tragjedi për qëllime të tjera. Tragjeditë nuk duhet të jenë fushë përçarjesh, por momente solidariteti, njerëzimi dhe bashkimi”, deklaroi kryeparlamentari.
Gashi theksoi se në momentet më të vështira është parë edhe ana më e ndritshme e shoqërisë.
“Në momentet më të errëta të vendit pamë edhe anën më të ndritshme të shoqërisë sonë – forcën e njerëzimit, solidaritetin dhe mbështetjen e sinqertë mes qytetarëve”, u shpreh ai.
Tragjedia në diskotekën “Pulse” ndodhi më 15 mars të vitit të kaluar në Koçan, kur një zjarr i madh përfshiu objektin, duke shkaktuar vdekjen e mbi 60 personave dhe plagosjen e më shumë se 200 të tjerëve.
