Kur bitëlsave u thanë se menaxheri i tyre, Brian Epstein, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Londër, më 27 gusht 1967, ata u tronditën. “Ishte tronditje, trishtim dhe paksa frikësuese”, i tha Paul McCartney biografit Barry Miles në librin Shumë vite nga tash [Many Years from Now] të vitit 1997. “Ne e donim atë”.
Epstein kishte qenë vendimtar në ngritjen e bitëlsave – nga klubet lokale të Liverpulit në grupin më të madh në botë. Ai formësoi imazhin e tyre të hershëm, i ndihmoi të nënshkruanin një kontratë incizimi, menaxhoi të gjitha çështjet e tyre të biznesit dhe i mbështeti gjatë gjithë kohës. Dhe, ai gjithmonë kishte besuar tek ata. Kur BBC Panorama bëri një profil për të në vitin 1964, ai tha se kur nënshkroi kontratë me grupin, në vitin 1961, e dinte që ata do të bëheshin “një nga atraksionet më të mëdha, nëse jo më i madhi atraksion teatror në botë”.
Në kohën e intervistës, Epstein menaxhonte një listë të tërë artistësh, përfshirë Gerry and the Pacemakers, Cilla Black dhe Tommy Quickly. Ai kishte “gjykim unik për atë që do të bëhet hit dhe kush do të arrijë sukses”, tha reporteri i BBC-së, Michael Charlton. “Kur vetëm një në 50 incizime pop tërheq vëmendjen, yjet e rinj të Epsteinit kanë pushtuar klasifikimet muzikore në gjithë botën.”
Por, Epsteini kishte ndjekur një rrugë të çuditshme drejt botës së muzikës pop, dhe Charlton vuri re se ai ende dukej disi si i humbur në këtë botë. “Vetë ai nuk është pjesë e këtij universi, megjithatë është vërtet i përfshirë nga të rinjtë dhe nga entuziazmi i tyre”, tha Charlton.
I lindur në vitin 1934, Epstein ishte djali më i madh i një familjeje hebreje që drejtonte një biznes të suksesshëm tregtar në Liverpul. Ai shpresonte të ndiqte një karrierë krijuese, por familja e tij kishte plane të tjera për të. “Kur lashë shkollën, në moshën 16-vjeçare, kisha ambicie të bëhesha stilist rrobash dhe gjithashtu aktor, por familja ime nuk ishte shumë e entuziazmuar për këtë, dhe unë lejova ndikimin e tyre për të hyrë në biznes”, i tha Epstein gazetarit Bill Grundy në një intervistë radiofonike të BBC-së në vitin 1964. “Mendoj se isha më i etur të largohesha nga shkolla se çdo gjë tjetër, të cilën nuk e kisha shijuar shumë”.
Ndërsa punonte në biznesin familjar në vitin 1952, u thirr për shërbim të detyrueshëm kombëtar, duke u angazhuar në Trupat Mbështetëse të Ushtrisë Mbretërore. Por, jeta ushtarake e bëri të ndjehej i mjerë. Pasi u kontrollua nga një psikiatër, i cili e rekomandoi për lirim të hershëm mjekësor, ai u kthye për të punuar sërish në firmën familjare. Megjithatë, nuk kishte hequr dorë nga aspiratat për aktrim dhe arriti të bindte prindërit ta lejonin të regjistrohej si student në Akademinë Mbretërore të Artit Dramatik (RADA) në Londër në vitin 1956.
Gjatë kësaj kohe, Epstein pranoi se ishte homoseksual. Në Mbretërinë e Bashkuar të viteve ’50 të shekullit XX, homoseksualiteti ishte i paligjshëm dhe jeta e tij si homoseksual i fshehur e bënte të cenueshëm ndaj sulmeve të dhunshme, shantazhit dhe kërcënimit të vazhdueshëm për burgim. Në vitin 1957, ai u arrestua nga një polic civil për “ngacmim të vazhdueshëm” jashtë tualetit të burrave në një stacion të metrosë së Londrës. Ai mori një dënim dyvjeçar, me kusht, u largua nga RADA dhe u kthye në Liverpul. Këtë herë, kur i ati e bëri përgjegjës për departamentin e disqeve në dyqanet muzikore të familjes (North End Music Stores – NEMS), ai e gjeti vendin e vet. Aftësia e tij për të parashikuar çfarë do të bëhej hit dhe talenti për të krijuar vitrina tërheqëse, e kthyen shpejt dyqanin në një magnet për adoleshentët e Liverpulit.
Kur një djalosh hyri në NEMS për të kërkuar një disk të bitëlsave, My Bonnie, Epstein vendosi t’i kërkonte, i tha ai Grundyt në vitin 1964. John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe bateristi i tyre i atëhershëm, Pete Best, kishin incizuar këngën si grup shoqërues për këngëtarin Tony Sheridan, kur ishin në Hamburg në vitin 1961, gjë që bëri Epsteinin të besonte se ishin gjermanë. Bitëlsat tani ishin kthyer në Liverpul dhe Epstein shkoi t’i shihte teksa performonin në një sesion të drekës në “Cavern Club” aty pranë, kryesisht me synimin për të zbuluar se si të porosiste diskun My Bonnie.
Teksa hyri në bodrumin e errët e të mbushur me tym, ai u mahnit nga muzika që dëgjoi. “Më pëlqyen jashtëzakonisht shumë. Më pëlqeu menjëherë tingulli që dëgjova”, i tha ai Grundyt. “E dëgjova tingullin e tyre përpara se t’i takoja. Ishin, disi, të veshur mjaft keq … Xhaketa të zeza lëkure dhe xhinse, flokë të gjatë, sigurisht, dhe paraqitje mjaft e çrregullt në skenë – jo shumë të vetëdijshëm, dhe pa u shqetësuar shumë se si dukeshin”.
Por, Epstein u magjeps nga karizma në skenë, nga energjia e tyre dhe humori spontan. “Dhe, mendova se ishte diçka që shumë njerëz do ta pëlqenin. Ishin të freskët, ishin të ndershëm, dhe kishin atë që unë e quaj një lloj pranie dhe një cilësi ylli. Çfarëdo që të jetë ajo, ata e kishin, ose unë ndjeva që e kishin”.
Megjithëse nuk kishte asnjë përvojë, Epstein ishte i bindur se duhej të bëhej menaxheri i tyre dhe propozoi një takim biznesi në dyqanin e tij. Por, kur erdhi koha, vetëm tre nga anëtarët e grupit u paraqitën. Pasi Epstein kishte pritur për 45 minuta, McCartney ende nuk kishte ardhur. “I thash njërit prej djemve ta telefononte, dhe ai tha: ‘Epo, sapo është zgjuar, është në vaskë’”, i tha Epstein BBC-së në vitin 1964. “Kështu që, në një farë mënyre, bërtita pak, dhe mendova se kjo me të vërtetë është e turpshme; si mund të vonohet kaq shumë për diçka të rëndësishme. Por, George u përgjigj që kjo është shumë tipike për ta. ‘Epo, ai mund të vonohet, por është shumë i pastër’”.
Bitëlsat ranë dakord të menaxhoheshin nga Epsteini i cili ishte më i madh në moshë dhe fliste bukur, megjithëse ai e la kontratën e tyre të parë të hapur, në mënyrë që ata të mund të tërhiqeshin nëse ai nuk arrin të dëshmojë veten. Më pas, nisi të siguronte skena më të mëdha dhe më të mira për grupin. Ai kuptoi se ata duhej të përmirësonin imazhin, nëse donin të arrinin një audiencë më të gjerë, veçanërisht në televizion, ndaj i bindi të vishnin kostume të njëjta – për të cilat më vonë u bënë të njohur – dhe të ndalonin sharjet, cigaret dhe alkoolin në skenë.
“I inkurajova, që në fillim, të hiqnin xhaketat e lëkurës dhe xhinset, dhe për një kohë nuk i lejova të shfaqeshin me xhinse dhe më pas i shtyra të vishnin pulovra në skenë dhe, pastaj, me shumë hezitim, në fund edhe kostume”.
Ndryshe nga menaxherët e tjerë të grupeve në atë kohë, Epstein nuk pretendonte t’u thoshte se çfarë këngësh duhej të luanin ose si duhej të tingëllonin. “Nuk di gjë për muzikën”, pranoi ai për Grundyn në vitin 1964, “por mendoj se i njoh hitet”. Në të njëjtën kohë që organizonte logjistikën e koncerteve të tyre dhe inxhinieronte publicitetin për të ngritur profilin e tyre, ai filloi të vizitonte shumë kompani disqesh me synimin për t’u siguruar atyre një kontratë incizimi.
Pasi u takua me producentin muzikor George Martin, bitëlsat siguruan një marrëveshje me Parlophone, një degë e kompanisë së incizimeve EMI. Edhe Martin ishte jetik për suksesin e grupit, duke i ndihmuar të përsosnin dhe zhvillonin tingullin dhe duke punuar me ta për të realizuar idetë muzikore. Kur Lennon, McCartney dhe Harrison vendosën se duhej ta zëvendësonin Bestin me Ringo Starrin, ata iu drejtuan Epsteinit për të pushuar nga puna bateristin e tyre origjinal. Pavarësisht rezervave të tij, ai u besoi “djemve”, siç i quante ai, si dhe gjykimin muzikor të Martinit.
Si menaxher i tyre, Epstein krijoi lidhje shumë personale me bitëlsat, veçanërisht me Lennonin. Epstein ishte dëshmitar në martesën e Lennonit me gruan e tij të parë Cynthia Powell, në vitin 1962, duke paguar për ushqimin për festë dhe duke ofruar apartamentin e tij në Liverpul që çifti të jetonte pa qira ndërsa kishin fëmijën e tyre të parë, Julian. “Mendoj se të gjithë janë njerëz të mëdhenj, dhe e them këtë me të vërtetë”, i tha Epstein, Grundit. “Së fundmi u shkrua për mua se me shumë gjasë e shijoj më së shumti shoqërinë e artistëve të mi, dhe mendoj se kjo është mjaft e vërtetë. U shkrua kjo në kontekstin se nuk kam jetë shoqërore dhe se shumicën e kohës e kaloj me artistët e mi”.
Brenda dhjetë muajve pasi Epstein filloi të menaxhonte bitëlsat, ata kishin publikuar singlin e tyre të parë, Love Me Do. Në mars 1963, singli i tyre i dytë, Please Please Me, nga albumi me të njëjtin titull, arriti numrin një në klasifikimet britanike. Deri në fund të vitit 1963, Epstein po negocionte për të siguruar paraqitjen e parë televizive të tyre në Shtetet e Bashkuara, në shfaqjen argëtuese të Ed Sullivanit në CBS – një nga më të ndjekurat. Performanca e grupit në shkurt 1964 do të rezultonte në një pikë kthese kulturore, duke tërhequr rreth 73 milionë shikues. Pati një shpërthim histerie të adhuruesve, me bitëlsat që njëkohësisht mbanin pesë pozicionet kryesore në klasifikimin Billboard deri në prill.
Por, në vitet që pasuan, ndërsa bitëlsat po bëheshin gjithnjë e më të suksesshëm ndërkombëtarisht, jeta personale e Epsteinit u bë gjithnjë e më kaotike. Për të përballuar ngarkesën e tij të punës, ai filloi të merrte stimulues të cilët më pas i balanconte me qetësues për ta ndihmuar që të flinte. Deri në fund të vitit 1966, vetë grupi ishte i lodhur dhe vendosi të ndalonte turnetë. Gjatë vitit 1967, ndërsa bitëlsat punonin në albumin e tyre novator Sgt Pepper’s Lonely Hearts Club Band, Epstein hynte e dilte nga një klinikë private në Londër, në një përpjekje për të përballuar varësinë e tij nga droga. Por, ai përsëri mbante ritmin e tij të lodhshëm, për të organizuar festën e publikimit të albumit në shtëpinë e tij në Belgravia të Londrës, në maj 1967, dhe duke negociuar që bitëlsat të performonin këngën All You Need Is Love – për 400 milionë shikues në 25 vende, në lidhjen e parë televizive satelitore në botë.
Pak më shumë se një muaj pas vdekjes së të atit, Epstein u gjet i vdekur – në moshën 32-vjeçare, në gusht të vitit 1967, pasi kishte marrë atë që u cilësua si mbidozë aksidentale droge. Bitëlsat ishin të tronditur. Ndërsa mund të dyshohej aftësia e tij në disa vendimi biznesi, grupin Beatles ai e mbajti grupin në rrugën e duhur. “E dija që atëherë se ishim në telashe”, i tha John Lennon, Jann Wennerit të revistës Rolling Stone në një intervistë në vitin 1970. Lennon besonte se vdekja e Epsteinit kishte shkaktuar shpërbërjen e grupit. “Në të vërtetë nuk kisha asnjë iluzion për aftësinë tonë për të bërë diçka tjetër veçse të luanim muzikë dhe isha i frikësuar. Mendova: ‘E kemi mbyllur tani’”. Më pak se tre vjet pas vdekjes së tij, grupi Beatles u shpërbë.
“Ajo që [Epstein] bëri ishte t’i fuqizonte ata”, i tha historiani Mark Lewisohn podkastit Great Lives të BBC-së në vitin 2019. “Talenti ishte i tyre, por ai u dha çdo mundësi për ta përdorur dhe ata pastaj i shfrytëzuan ato mundësi dhe bënë gjëra të jashtëzakonshme”./ BBC
The post Njeriu që shndërroi grupin në Beatles në një fenomen appeared first on Alsat.