Nëse udhëton në cilindo cep të botës dhe dikush të pyet nga je, mjafton të thuash “Roma”, që përgjigjja të jetë pothuajse gjithmonë e njëjtë: “Ah… Totti”. Legjenda e Romës dhe e futbollit italian është bërë sinonim i kryeqytetit italian, njësoj si Koloseu, Bazilika e Shën Pjetrit.

Kjo është fryma e librit më të fundit të gazetarit të “Corriere dello Sport”, Mauro De Cesare, me titull “No Totti, No Party”, i cili rrëfen jo vetëm 307 golat e Francesco Tottit, por edhe mënyrën unike se si ai i festonte ato dhe ndikimin që pati përtej fushës së lojës.

Sipas autorit, çdo gol i Tottit e kthente stadiumin “Olimpico” në një skenë spektakli, ku kapiteni verdhekuq bëhej protagonist absolut. Nga festimi me biberon, selfie-ja historike, fanellat me mesazhe ironike, shakatë, personazhi “Papertotti”, reklamat televizive, kinemaja dhe librat, Totti e shndërroi futbollin në një formë arti dhe argëtimi.

Libri ndalet edhe te festimet ikonike të yjeve të tjerë të futbollit, si “Siuuu!” i Cristiano Ronaldos, kërcimi karakteristik i Diego Armando Maradonës, “mitralozi” i Gabriel Omar Batistutës dhe “Maska” e Paulo Dybala.

Në vepër ka vend edhe për një dedikim nga Aldair, njeriu që i vendosi shiritin e kapitenit në krah Tottit. “Në Brazil, kapiten është gjithmonë lojtari më i mirë”, – kujton ish-mbrojtësi legjendar. Madje, në libër, edhe “Spider-Man” kërkon një “asist” nga kapiteni, në një rrëfim plot fantazi dhe humor.

 

The post  “No Totti, No Party”; historia brilante e kapitenit të Romës përmes 50 viteve dhe 307 golave appeared first on Telesport.