NQP Shkup javën e ardhshme do të marrë 6 autobusë ekologjikë. Këtë informacion e dha ministri i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti i cili tha se ministria ka siguruar donacion nga BE për autobusët që do t’ia dhurojnë NQP-së.
“Si Ministri e Mjedisit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor dhe me donacion nga BE-ja, siguruam 6 autobusë dhe javën e ardhshme do t’ia dhurojmë NQP-së Shkupi”, tha Izet Mexhiti
Por Irena Vitina, këshilltare në Qytetin e Shkupit, tha se Mexhiti lavdërohet me projekte që nuk janë të tij dhe se ai si ministër nuk ka asnjë kontribut për këta 6 autobusë. Siç tha ajo, të punësuarit në sektorin për bashkëpunim ndërkombëtar pranë Qytetit të Shkupit i kanë të gjitha meritat, sepse ata kanë përpiluar një aplikacion dhe se ky projekt vjen si rezultat i punës së tyre të përkushtuar, me çka për nevojat e Qytetit, BE i financon 6 autobusë. Në këtë projekt, siç tha ajo, kanë punuar dy vjet.
“Është e turpshme përpjekja për plasimin e këtyre të pavërtetave të vazhdueshme nga ana e Izet Mexhitit i cili brenda këtyre 5 muajve nuk ka bërë asnjë projekt, andaj i duhet të lavdërohet me projekte që i ka bërë Qyteti i Shkupit. Ministri Mexhiti nuk ka asnjë kontribut që Qyteti i Shkupit t’i marrë këta 6 autobusë e as i ka ndihmuar qytetit deri më tani në një segment tjetër për ballafaqim me ndotjen, edhe pse institucioni i tij është një nga 14 institucionet që i kanë kompetencat për të vepruar”, tha Irena Vitina.
Ndërkohë kryeministri Hristijan Mickoski pret që deri në sezonin e ardhshëm veror ose deri në vjeshtën e ardhshme vendi të ketë 100-120 autobusë elektrikë që do të qarkullojnë në transportin publik nëpër qytetet që kanë organizuar transport të tillë. Përpilohet projekt për blerjen e këtyre autobusëve por edhe 50 stacioneve për mbushjen e tyre.
