Kuvendi me shumicë votash e zgjodhi Nenad Saveskin për kryeprokuror të ri. Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski në arsyetimin e propozimit të Qeverisë tha se pret që Saveski të punojë për rikthimin e besimit në Prokurorinë Publike. Saveski është profesionist i dëshmuar në punën e tij, theksoi Nikoloski.

“Nuk është rastësi që nuk ka bisedë, nuk ka debat ku nuk ka kritika serioze për sistemin prokurorial-gjyqësor, ashtu siç nuk është rastësi që vlerësimi i këtyre dy institucioneve është diku rreth 2 për qind. Kjo do të jetë një detyrë serioze për kryeprokurorin e ri”, tha Aleksandar Nikolloski – Zëvendëskryeministër.

Deputetët nga Fronti Evropian Skender Rexhepi, Ilir Hasani dhe Halil Snopçe theksuan se nga Saveski presin që të rihapë rastet e spitalit në Tetovë, për Almirin e vogël, “Mostra” dhe “Alfa”. Rexhepi tha se nuk është kundër propozimit për kryeprokurorin e ri, por nuk do ta mbështesë derisa ai të dëshmojë se do të merret me këto raste.

“Prokurori i ardhshëm duhet të dëshmojë se vërtet do të jetë prokuror i të gjithë qytetarëve, sepse këto dy raste, rasti “Monstrum” dhe “Alfa”, janë njerëz që ende vuajnë burgim të përjetshëm, njerëz që ende drama dhe vuajtjet e tyre vazhdojnë”, u shpreh Skender Rexhepi Zejd – deputet, Fronti Evropian.

Pritje nga Saveski shprehu edhe Malisha Stankoviq nga Partia Socialiste, që është në koalicion me pushtetin. Ai tha se Saveski është njeri i guximshëm që merr përsipër të udhëheqë një institucion me 2 për qind besim. Ai së pari duhet të pastrojë oborrin e vet, u shpreh ai, por duke kërkuar që të merret edhe me oligarkët.

“Nga zoti Saveski unë personalisht, dhe besoj edhe qytetarët, presim që të merret me krimin e lartë, me oligarkinë në shtet. Banka, kompani sigurimesh, firma off-shor, shoqëri të ndryshme financiare dhe fonde, mafia ndërtimore dhe shumë çështje të tjera”, tha Malisha Stankoviq – Partia Socialiste.

Edhe pse nuk kishte kritika të caktuara ndaj kryeprokurorit të ri Saveski, Jovana Trençevska nga LSDM tha se pushteti dëshiron ta shndërrojë atë në shërbëtor të vetin.

“Rreziku më i madh nuk qëndron në biografi, por në synimin e pushtetit për ta shndërruar Prokurorinë në zgjatim të politikës. Ofensiva aktuale politike e VMRO-DPMNE, e cila do të kulmojë me zgjedhjen e Nenad Saveskit për kryeprokuror të ri dhe dorëzimin e propozim-ligjit të ri për Prokurorinë Publike, paraqet përfundimisht përpjekje për vendosjen e kontrollit partiak mbi ndjekjen penale në vend”, deklaroi Jovana Trençevska – Deputete, LSDM.

Nenad Saveski në një intervistë për MIA të dhënë para zgjedhjes së tij tha se nuk do të udhëheqë drejtësi selektive, pasi për të të gjitha lëndët janë të rëndësishme, dhe nuk do të ketë lëndë në sirtar. Si prioritete paralajmëroi digjitalizimin e punës së Prokurorisë, si dhe më shumë llogaridhënie dhe transparencë. Ai tha se do të punojë për përmirësimin e kushteve të punës, sepse, siç theksoi, një institucion i varfër nuk mund të luftojë kundër kriminelëve të pasur.