Pançe Toshkovski ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërpresë bashkëpunimin me kompaninë serbe “Pamitex Team”, e cila ishte përgjegjëse për furnizimin me uniforma njëngjyrëshe për njësitë speciale të policisë.

Sipas Toshkovskit, vendimi është marrë pas një super-analize të realizuar jashtë vendit, ku u konstatua se mostrat e dorëzuara nga kompania nuk i përmbushnin standardet e cilësisë të përcaktuara në dokumentacionin e tenderit.

Përveç ndërprerjes së marrëveshjes kornizë, MPB-ja do të aktivizojë edhe garancinë bankare të kompanisë, si masë shtesë ndaj shkeljeve të konstatuara.

Ministri këto deklarata i bëri në një intervistë për emisionin “360 shkallë”, duke theksuar se institucionet nuk do të tolerojnë furnizime që nuk përmbushin kriteret e kërkuara për pajisjet e policisë.

Ndërkohë, ndryshe nga ky furnizim problematik, procesi për uniformat kamuflazh të njësive speciale është realizuar me sukses përmes kompanisë nga Manastiri, “Le Brand”. Edhe pse kishte vonesa në afatet e dorëzimit, nga MPB-ja sqarojnë se procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin dhe se zyrtarët policorë tashmë i përdorin uniformat e reja, duke shprehur kënaqësi për cilësinë e tyre.