Ende nuk dihet se sa do të paguajnë kompanitë eksportuese nga vendi që përdorin energji nga burime ndotëse. Që nga 1 janari, Bashkimi Evropian ka vendosur një taksë për dekarbonizim, që do të thotë se do të paguhet një shumë shtesë për një produkt në prodhimin e të cilit është përdorur energji ndotëse. Kjo taksë nga 1 janari do të prekë rreth 370 kompani vendase që kanë eksport 80 milionë euro në BE. Preken kompanitë në prodhimin e hekurit dhe çelikut, aluminit, hidrogjenit, plehrave kimikë, çimentos dhe energjisë elektrike. Ministrja e Energjisë, Sanja Bozhinovska, thotë se ka pyetur, por ende nuk ka një informacion të qartë.

“Ne ishim të enjten në Bashkësinë Energjetike në Vjenë, aty ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit nga Komisioni Evropian. I parashtrova pyetjet sa do të kushtojë saktësisht. Megjithatë, na thanë se do të marrim një përgjigje me shkrim brenda 5 deri 7 ditëve. Ata kanë publikuar një propozim për metodologji të re, i publikuar më 17 dhjetor në faqen e tyre zyrtare. Ende nuk e kam lexuar personalisht, shërbimet po e shqyrtojnë, por janë shumë dokumente që duhet t’i shohim. Ne si Ministri e Energjisë jemi kompetentë vetëm për pjesën e energjisë elektrike, pjesa tjetër nuk është në kompetencën tonë”, u shpreh Sanja Bozhinovska – ministre e Energjetikës.