Gazetar: Zekirija Haxhiu
Në kuvend pritet të mbërrijë projekt ligji për shkollat e mesme fetare i cili ditë më parë mori dritë jeshile nga qeveria. Ligji pritet përfundimisht të zgjidh çështjen e medresantëve për regjistrim në universitetet publike në vend apo jashtë vendit, shkruan Alsat.
Duke prezantuar propozim ligjin, Zeqirija Ibrahimi nga VLEN njoftoi se tani edhe nxënësit e medresesë do të gëzojnë statusin e gjimnazistit. Duke respektuar shtetin sekular dhe të drejtat për arsim të çdo qytetari, VLEN nuk bën lojëra politike me temat fetare, tha Ibrahimi.
“Ky ligj është dëshmi e qartë e angazhimit tonë për drejtësi, barazi dhe respekt për diversitetin fetar dhe kulturor të shtetit tonë. Ky nuk është vetëm një ligj por është një testament i fuqisë së vlerave tona, një garanci se asnjë besim asnjë ndjenjë dhe asnjë komunitet nuk do të mbeten më kurrë nën hije”, tha Zeqirija Ibrahimi – VLEN.
Me këtë propozim ligj janë të kënaqur edhe nga vet Bashkësia Fetare Islame. Kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu, duke falënderuar strukturat më të larta shtetërore të cilat kanë kontribuar për këtë zgjidhje, shpresojnë se tani shkollat fetare do të kontribuojnë në ngritjen e dijes dhe kultivimin e vlerave morale, paqes dhe tolerancës në shoqëri.
“Me bindje të thellë besojmë që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ta miratojë këtë ligj të shumëpritur, i cili është shpresë për shumë familje, ëndërr e shumë nxënësve dhe perspektivë e vlerave euroatlantike, të cilat synon t’i arrijë shteti ynë”, ka shkruar Fetahu.
Propozim ligji është në përputhje me Kushtetutën, ligjin për arsim të mesëm si dhe ligjin për statusin juridik të Kishës, Bashkësisë Fetare Islame dhe Grupit Fetar në vend. Byroja për Zhvillimin e Arsimit do të jetë ombrella e përputhshmërisë së planprogrameve të këtyre shkollave fetare, konkretisht shkollës Teologjike Ortodokse Maqedonase “Shën Klimenti i Ohrit” Shkup, dhe Shkollës së Mesme Islame “Medreseja Isa Beu” – Shkup. Planprogramet e këtyre shkollave duhet të përputhen me Konceptin për maturën shtetërore, Maturën shkollore dhe Provimin përfundimtar të miratuar nga Ministria e Arsimit.
Këto janë të sqaruara në nenin 7 ku theksohet se është detyrim që planprogramet mësimore të përfshijnë një format të gërshetuar mësimor. Formati për lëndët tekniko-shkencore përfshin ato të gjimnazit, dhe tjetri – ai fetar – që përfshin lëndët nga teologjia përkatëse, qoftë ortodokse apo islame, sipas institucionit amë. Po ashtu, shkollat përveç përshtatjes së planprogrameve duhet të kenë edhe kuadër mësimdhënës të kualifikuar me 240 kredi.
Ky ligj pritet të zbatohet nga viti i ardhshëm shkollor, ndërkohë që mbetet të shihen modalitetet për një zgjidhje të mundshme për ata që veçse janë në studime, në vitet e larta, në shkollat e mesme fetare.
Në fundprillin e këtij viti, Gjykata Kushtetuese pati shfuqizuar me shumicë votash vendimin e qeverisë paraprake të udhëhequr nga kryeministri teknik Talat Xhaferi në mars të 2024-ës, me të cilin Medreseja “Isa Beu” mori statusin e shkollës së mesme private – gjimnaz, me arsyetimin se zgjidhja e asokohe ishte antikushtetuese dhe antiligjore, me të cilën ishte shkelur parimi i sekularitetit të shtetit./ Alsat.mk
The post Nxënësit e medresesë do të gëzojnë statusin e gjimnazistit appeared first on Alsat.
