Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) ka mbajtur mbledhjen e parë të Këshillit Drejtues, të thirrur nga kryetari i Odës, Sami Morina, me fokus konsolidimin e strukturave drejtuese dhe koordinimin e aktiviteteve për periudhën e ardhshme.

Mbledhja shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet strukturave drejtuese, me synim realizimin e objektivave institucionale dhe avancimin e nismave në mbështetje të komunitetit të biznesit.

Gjatë takimit, vëmendje e veçantë iu kushtua përgatitjeve për projektin TOP 100 – 2026, si dhe shqyrtimit të çështjeve që lidhen me grupacionet e OEMVP-së. Këto diskutime synojnë forcimin e bashkëpunimit sektorial dhe rritjen e përfshirjes së bizneseve në aktivitetet dhe iniciativat e Odës.

Anëtarët e Këshillit Drejtues diskutuan gjithashtu për rëndësinë e koordinimit të aktiviteteve dhe përmirësimit të organizimit të punës, në funksion të adresimit sa më efektiv të sfidave dhe shfrytëzimit të mundësive që ofron sektori privat.

OEMVP-ja vazhdon angazhimin e saj për të forcuar rolin si përfaqësuese e komunitetit të biznesit dhe si partnere në nisma që synojnë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset.