Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që i hap rrugën krijimit të shtetit të Palestinës.
Deklarata është rezultati i një konference që organizuan Arabia Saudite dhe Franca në muajin korrik, e cila kërkon një zgjidhje të konfliktit “mes dy shteteve të Izraelit dhe Palestinës”, që duhet të jetë paqësore. Deklarata siguron “izolimin ndërkombëtar” të Hamasit, dënon sulmet e grupit palestinez ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, që çuan në nisjen e luftës aktuale, ndërsa dënon gjithashtu edhe sulmet e Izraelit ndaj civilëve dhe infrastrukturës së Gazës.
Rezoluta u miratua me shumicë dërrmuese prej 142 votash pro dhe 10 kundër, mes të cilëve ishin edhe SHBA-ja dhe Izraeli. Maqedonia dhe Shqipëria ishin ndër 12 vendet që abstenuan gjatë votimit.

Rezoluta jodetyruese që mbështet “Deklaratën e Nju-Jorkut” përcakton një plan me faza për t’i dhënë fund konfliktit gati 80-vjeçar.
Para votimit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se “nuk do të ketë shtet palestinez”.
Riyad Mansour, ambasadori palestinez në OKB, tha se mbështetja për rezolutën pasqyron “dëshirën e pothuajse të gjithëve, të bashkësisë ndërkombëtare, për të hapur derën për mundësinë e paqes”.
Pa e përmendur Izraelin, ai tha: “Ne ftojmë një palë që ende po shtyn përpara opsionin e luftës dhe shkatërrimit, dhe që përpiqet të eliminojë popullin palestinez dhe të vjedhë tokën e tyre, të dëgjojë tingullin e arsyes – tingullin e logjikës së trajtimit të kësaj çështjeje në mënyrë paqësore, dhe për mesazhin mbizotërues që ka rezonuar në këtë Asamble të Përgjithshme sot.”
Por ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, e hodhi poshtë rezolutën si “teatër”, duke thënë se përfituesi i vetëm është Hamasi.
“Kjo deklaratë e njëanshme nuk do të mbahet mend si një hap drejt paqes, por vetëm si një tjetër gjest i kotë që dobëson besueshmërinë e kësaj asambleje”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara, aleati më i ngushtë i Izraelit, përsëritën kundërshtimin e tyre ndaj Deklaratës së Nju-Jorkut dhe rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme për zgjidhjen me dy shtete të pavarura.
“Rezoluta është një tjetër marifet publiciteti i gabuar dhe në kohën e gabuar që minon përpjekjet serioze diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit. Mos u gaboni, kjo rezolutë është një dhuratë për Hamasin”, tha këshilltarja e Misionit Amerikan, Morgan Ortagus.
