Kryetari i FFM-së, Masar Omeragiq, dërgoi një mesazh se shantazhet dhe kërcënimet nuk do të ndikojnë në punën e Federatës, duke theksuar se pjesëmarrja në garat është zgjedhje vullnetare e çdo klubi.

“Që një klub të luajë në ligën e FFM-së, ai paraqet kërkesë, që do të thotë se merr pjesë vullnetarisht. Vullnetar është edhe largimi”, tha Omeragiq.

Ai theksoi se futbolli në Maqedoni ka ekzistuar dhe do të vazhdojë të ekzistojë pavarësisht individëve apo klubeve, duke kritikuar ata që, sipas tij, përpiqen të ushtrojnë presion mbi Federatën.

“Futbolli është luajtur edhe para disa klubeve dhe do të luhet edhe pas tyre. Të gjithëve atyre që shantazhojnë dhe kërcënojnë dua t’u porosis se mund të bëhet pa secilin”, deklaroi Omeragiq.

Mesazhi i tij vjen në një periudhë tensionesh dhe mosmarrëveshjesh në futbollin maqedonas, ku kryetari i FFM-së thekson se institucionet dhe garat duhet të funksionojnë në përputhje me rregullat, pa presione dhe kushtëzime.