Nga ALFRED LLESHI
Në një moment kur kombëtarja shqiptare po përgatitet për një nga sfidat më të rëndësishme dhe të zjarrta të këtij viti, ndaj Serbisë, në kuadrin e fushatës eliminatore të Botërorit 2026, përzgjedhjet e fundit të trajnerit Sylvinho kanë lënë edhe shije të hidhura tek ata që e ndjek futbollin me sy kritik dhe dashuri të sinqertë për fanellën kuqezi. Dy emra spikasin për mungesën e tyre në listën e kuqezinjve për dy kualifikueset e qrshorit: Lindon Selahi dhe Etrit Berisha.
Të mos thërrasësh Lindon Selahin, një mesfushor që sapo ka fituar dy trofe në pak ditë me Rijekën në Kroaci, përfshirë edhe kampionatin kombëtar në një sezon të jashtëzakonshëm, është më shumë sesa harresë, është një neglizhencë e pashpjegueshme profesionale. Jo vetëm që është pjesë kyçe e një skuadre kampione, por është edhe në formë të shkëlqyer, fizikisht dhe psikologjikisht. Në një repart mesfushe ku Shqipëria ka nevojë për intensitet dhe kreativitet, injorimi i Selahit është i pashpjegueshëm, nëse nuk merren parasysh faktorë që lidhen me politika brenda grupit, jo me formën sportive.
Po aq, nëse jo më tepër, shqetësuese është mungesa e Etrit Berishës, portierit legjendar që jo vetëm ka qenë themel në ngritjen e skuadrës kombëtare gjatë dekadës së fundit, por që së fundi ka përjetuar rikthim spektakolar me ekipin suedez të Häcken. Në një finale dramatike të Kupës së Suedisë, Berisha jo vetëm priti dy penallti, por edhe shënoi vetë një gol, duke dhënë sinjal të fortë që jo vetëm është në formë, por është lider i lindur. Ta lësh jashtë një portier me këtë përvojë, në një moment kur prapavija kuqezi ka nevojë për stabilitet dhe siguri, është më shumë se gabim. Mbi të gjitha është mungesë respekti për historinë kuqezi dhe meritokracinë.
Më shqetësues është fakti se këto vendime nuk shpjegohen qartë nga stafi teknik. Nëse nuk flasim për lëndime apo arsye të rënda disiplinore (për të cilat nuk ka asnjë komunikim zyrtar), atëherë lind pyetja: A po bëhet përfaqësuesja e Shqipërisë pronë personale? Sepse duket sikur vendimet merren në një dhomë të mbyllur, jo mbi bazën e formës, meritës apo profesionalizmit, por mbi baza të padukshme dhe arbitrare.
Ky është një sinjal i rrezikshëm për të gjithë lojtarët shqiptarë që përpiqen, luftojnë dhe sakrifikojnë për të ndërtuar një karrierë të ndershme. Çfarë mesazhi iu jepet atyre? Se edhe po të fitosh kampionatin dhe të jesh hero në finale, sërish nuk mjafton? Sepse ndoshta nuk bën pjesë në rrethin e preferuar të atyre që kanë në dorë vendim-marrjet kuqezi?
Në fund të ditës, kombëtarja është më e madhe se çdo trajner, se çdo staf dhe se çdo interes personal. Ajo është pasqyrë e meritës, jo e miqësive. Dhe nëse ajo humb këtë parim, atëherë rrezikon të humbasë edhe tifozët, që e mbështesin verbërisht, edhe besimin e lojtarëve që sakrifikojnë gjithçka për një thirrje të ndershme.
Nëse ka një pyetje që po shtrohet gjithnjë e më shpesh mes tifozëve, analistëve dhe vetë lojtarëve shqiptarë që luftojnë çdo javë në fushat e Europës, është kjo: A vlen më meritokracia në kombëtaren kuqezi? Apo ftesat janë kthyer në një lojë pa rregulla, ku performanca dhe suksesi në klube nuk garantojnë më as minimumin, një vend në listën me 27 emra?
Dy raste të freskëta dhe goditëse si Lindon Selahi e Etrit Berisha e shtyjnë këtë pyetje drejt një alarmi të hapur. Sepse kur një mesfushor që fiton dy trofe në pak ditë me Rijekën, përfshirë kampionatin kroat, nuk merr as një ftesë prove, dhe kur një portier që fiton finalen me dy penallti të pritura dhe një gol të shënuar në Suedi nuk konsiderohet as për grumbullim, atëherë çfarë tjetër duhet të bëjë një lojtar për të veshur fanellën e Shqipërisë?
Në këtë realitet ku forma sportive, paraqitja në fushën e blertë dhe kontributi i drejtpërdrejtë në suksesin e skuadrës nuk janë më faktorë vendimtarë, lind dyshimi legjitim: A funksionon kombëtarja shqiptare mbi parime të qarta dhe të ndershme? Mos vallë kemi hyrë në një fazë ku marrëdhëniet personale, preferencat e brendshme, interesat menaxheriale apo grupimet e mbyllura kanë më shumë peshë se cilësia dhe merita?
Rasti i Selahit është simbolik. Në një kampionat të fortë dhe teknikisht të zhvilluar si ai kroat, Lindon Selahi ka qenë lojtar kyç për Rijekën, duke kontribuar në një sezon historik me fitimin e kampionatit dhe kupës. Kjo nuk është vetëm një arritje personale, por dëshmi objektive se ai është në formë optimale, fizikisht dhe mendërisht, për ta ndihmuar kombëtaren në një repart ku shpesh mungon balanca dhe dinamizmi. E megjithatë, injorohet.
Rasti i Berishës është edhe më dramatik. Një portier me përvojën dhe historinë e tij, që jo vetëm ka mbajtur peshën e kombëtares për vite, por ka përjetuar një rikthim të jashtëzakonshëm, duke dalë hero në finalen e Kupës së Suedisë, meriton më shumë se heshtjen. Të mos e ftosh as si një alternativë lidershipi në kampin kuqezi, është jo thjesht gabim taktik, por fyerje ndaj historisë së vetë kombëtares.
Në një klimë të tillë, lindin disa pyetje para të cilave nuk mund të heshtim: Kush vendos realisht për ftesat? Dhe mbi çfarë kriteresh? A ndikon ndonjë lloj lobi menaxherësh në grumbullimet e kombëtares? A po shndërrohet kombëtarja në një grup të mbyllur, ku hyrja është e mundur vetëm përmes “kanaleve” të caktuara? A ka vend për ata që punojnë në heshtje dhe prodhojnë rezultate, apo gjithçka është kthyer në një lojë pozicionimi, emrash dhe preferencash?
Këto nuk janë thjesht dy raste të izoluara. Këto janë simptoma të një problemi më të thellë që, nëse nuk adresohen, mund të çojnë drejt shkëputjes së plotë mes kombëtares dhe atyre që e ndërtojnë atë me vepra; lojtarët dhe tifozët.
Sepse në fund të ditës, fanella kuqezi nuk është pronë personale e askujt, as e trajnerit dhe as e federatës. Ajo iu përket atyre që e nderojnë në fushë, me djersë, trofe dhe krenari. Dhe nëse ky realitet injorohet, atëherë rrezikojmë të humbasim më shumë se një lojë futbolli; rrezikojmë të humbasim vetë besimin te kombëtarja.
The post OPINION / Berisha dhe Selahi, “heronjtë” e injoruar. Çmimi i lartë i meritokracisë së munguar në kombëtare appeared first on Telesport.
