Milanin e këtyre javëve e shikon dhe e kupton se ka rilindur. 4 fitore radhazi, vetëm një gol i pësuar dhe triumfi i madh ndaj kampionit të Italisë, Napolit… Ky nuk është thjesht fryt i punës së trajnerit, por edhe i strategjisë së drejtuesve. Në krye të këtij vizioni qëndron Igli Tare. Ky është tregues i një projekti që po merr formë. Një ekip i cili, pas shumë dyshimeve në verë, tani ka fituar identitet dhe besim.
Vendimi për t’ia besuar stolin kuqezi Allegrit ka rezultuar shumë i qëlluar. Një trajner me eksperiencë, që di ta menaxhojë presionin dhe ndërtojë ekipe me mentalitet fitues. Mbi të gjitha, është mjeshtër i stabilitetit taktik. Këtë po e sheh çdo javë në mënyrën se si Milani fiton edhe kur gjërat komplikohen.
Po aq goditje e madhe ishte afrimi i Luka Modric, i cili edhe në moshën 40-vjeçare po jep ekuilibër dhe elegancë mesfushës së “Djallit”. Rabiot ka sjellë intensitet dhe personalitet, ndërsa pjesa më e madhe e transferimeve ka qenë e mirëmenduar dhe e harmonizuar me nevojat e skuadrës. Në këtë Milan po shihet dora e një drejtori sportiv që e njeh futbollin, që zgjedh me logjikë dhe vizion. Rruga është e gjatë, por për momentin, nisja duket perfekte.
Merita e Igli Tares është se nuk ka bërë revolucion për hir të zhurmës, por ka ndërtuar një ekip me themele logjike: përzierje përvoje dhe rinie, yjesh dhe lojtarësh punëtorë, duke krijuar një grup ku secili ka rolin e tij. Kjo është arsyeja pse sot Milani duket ekip solid, i bashkuar dhe e aftë të luftojë për trofe. Deri këtu: BRAVO IGLI TARE! Fillim perfekt i një projekti që premton shumë.
The post Opinion / BRAVO IGLI TARE! Fillimi perfekt i një Milani që premton shumë… appeared first on Telesport.