Gazetar: Zekirija Haxhiu

Partitë politike opozitare në Kuvend të ndarë për atë nëse do ta mbështesin propozim ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. LSDM thotë se do ta mbështesin por paralajmërojnë amendamente

Duhet ta shqyrtojmë, nëse ka nevojë do të intervenojmë me amandamente sipas qëndrimeve tona. Por gjithçka që do të thotë avancim të asaj fushe ne do ta mbështesim, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së

Deputeti i pavarur Bejxhan Iljas gjithashtu dëshiron që ta lexojë propozim ligjin para se të vendosë si do të veprojë. Thotë se do të kërkojë që të garantohet përfaqësimi i drejtë pasi sipas tij, pikërisht turqit janë më të diskriminuarit gjatë punësimeve.

“Duhet të na garantohet përfaqësimi i drejtë, kjo është e drejtë e jona kushtetuese, nëse nuk e shohim këtë, nuk është logjike të mbështetet…. E dini se ne si turq jemi më të prekur në aspekt negativ nga balancuesi i mëparshëm, edhe pse ishte balancuesi por kishte keqpërdorime të shumta”, tha Bejxhan Iljas, deputet i pavarur.

 Nga Aleanca për Shqiptarët krahu i Selës janë në përgatitje e sipër të një ligji tjetër për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pasi siç thonë, ky i Qeverisë nuk garanton asgjë.

“Realisht për mua badenteri është mekanizëm që duhet të mundësojë të realizosh të drejtat të cilat ti i ke të mohuara. Pikërisht ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i propozuar nga ana jonë është badenter në vete, dhe unë nuk besoj që ka shqiptar që do të refuzojë ta votojë atë. Ky ligj që është paraqitur nga ana e qeverisë, realisht përveç emrit që e ka të drejtë dhe adekuat sepse thirret ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, asgjë tjetër nuk ka adekuat dhe të drejtë”, shtoi Ilire Dauti, deputete e ASH-së.

 Kundër propozim ligjit janë edhe ASH-ja e Taravarit. Sipas tyre, ky propozim nuk eliminon mangësinë e balancuesit, respektivisht nuk mundëson shprehjen e përkatësisë etnike, nuk ka mekanizëm ndëshkues dhe lejon vazhdimisht në mënyrë legale të ketë diskriminim. Të njëjtin qëndrim e kanë edhe nga Fronti Evropian. Propozim ligji fillimisht duhet të kalojë në debat në komisionin për sistem politik e më pas në seancë plenare për votim ku e njëjta duhet të votohet edhe me badenter./Alsat.mk

The post Opozita e ndarë për ligjin për përfaqësim të drejtë, ASH-ja po përgatitë ligj të ri appeared first on Alsat.