Gazetare: Fatlume Dervishi

Zgjedhjet e përsëritura në Gostivar sollën fitore të thellë, pothuajse të dyfishtë për kandidatin e AKI-së Valbon Limani, përballë kandidatit të VLEN-it Nevzat Bejta. Limani mori 15 300 vota kurse Bejta 7500 vota.

“Gostivarasit votuan me Gostivarin në zemër dhe të gjithve u dërgojmë vetëm një mesazh, të fala nga Gostivari”, tha Valbon Limani, Kandidat i AKI-së për Gostivarin.

“Përveç që është bërë në komunat e tjera inxhinjeringu, këtu është përdorur një mjet tjetër, sabozhatimi dhe bojkoti që ne të mos triumfojmë” , u shpreh Ali Ahmeti, BDI.

“Ata i keqpërdorën financat e komunës të cilat i kanë plaçkitur dhe për një javë rresht ata kanë ndarë shumë para për qytetarët e Gostivarit. Besoj se institucionet e shtetit do të hynë në komunë dhe do të vërtetojnë krimin që e ka bërë Taravari dhe e ka vazhduar Limani”, tha Nevzat Bejta, Kandidat i VLEN-it për Gostivarin.

Në Komunën e Vrapçishtit fitoi Isen Shabani, me mbi 5400 vota, rreth 2000 më shumë se kundërkandidati Zulhajrat Demiri i cili mori mbi 3100 vota.

“Ne jemi të bindur se nuk do të zhgënjeheni, për komunën tonë, për vendin tonë. Projektet të cilat i kemi filluar, do të mbarojnë me sukses, edhe pse u munduan përkohësisht t’i ndalojnë por ja që nuk ja dolën”, theksoi Isen Shabani, Kandidat i AKI-së për Vrapçishtin.

Në Mavrovë-Rostushë, kandidati i VMRO-DPMNE-së Oner Jakuposki mori 1900 vota kurse kandidati i LSDM-së Anes Ahmeti mori 960 vota.

Në Qendër Zhupë, kandidati i vetëm në garë Arijan Ibraim mori rreth 970 vota.

Në zgjedhjet e përsëritura nuk ka census që d.m.th. se fitues është kandidati me më shumë vota, pa kushte të tjera.

The post Opozita shqiptare në zgjedhjet e përsëritura fitoi në të dy komunat appeared first on Alsat.