Aleanca për Shqiptarët e drejtuar nga Arben Taravari ka reaguar ndaj përgjigjes së Ministrisë së Drejtësisë, me të cilën refuzohet peticioni i studentëve shqiptarë për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Thonë se studentët shqiptarë po përballen me diskriminim të hapur, ndërsa shqipja po përjashtohet nga sistemi i drejtësisë.
“Studentët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, pa cenuar aspak njohjen dhe përdorimin e gjuhës maqedonase. Refuzimi i Ministrisë së drejtësisë dërgon një mesazh të rrezikshëm, mohimi i gjuhës shqipe nuk është[ thjesht një vendim administrativ por një alarm serioz për drejtësinë, barazinë dhe frymën demokratike në vend. Studentët shqiptarë nuk kërkojnë privilegje, por të drejtat që u takojnë”, deklaroi Viola Ramadani – ASH-Taravari.
I pyetur rreth kësaj çështjeje, Bilall Kasami nga koalicioni VLEN tha se kjo çështje është në vazhdën e zbatimit të Ligjit të gjuhëve dhe se për këtë ka bisedime në kuadër të qeverisë për të gjetur zgjidhje.
“Nuk është se ne bëjmë zhurmë apo bujë të madhe në opinion. Por ajo që mund të garantojmë, është që kjo çështje do të zgjidhet në interes të studentëve. Përderisa i gjithë procesi edukativ-arsimor është në gjuhën shqipe, deri në universitet, sigurisht që edhe këto provime profesionale duhet të ketë mundësi që krahas gjuhës maqedonase, të bëhen edhe në gjuhën shqipe”, u shpreh Bilall Kasami – VLEN.
Edhe opozitarja BDI ka dalë me reagim ndaj Ministrisë së Drejtësisë, duke e dënuar refuzimin e kërkesës si shkelje të të drejtave kolektive dhe barrierë për avancimin e kuadrove shqiptare në sistemin gjyqësor. BDI ka kërkuar sqarime publike nëse ky qëndrim është individual i ministrit Fillkov apo vendim zyrtar i Qeverisë, dhe nëse qeveria ka ndërmend të respektojë dygjuhësinë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.
