Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, në një deklaratë për mediat theksoi se duhet të vendoset rend me objektet e vendosura në mënyrë të paligjshme nëpër qytet.
“Qytetarët prej 30 vitesh kërkojnë rend për objektet e vendosura pa leje nëpër qytet. Unë kam thënë se rend do të ketë. E di që në procese të caktuara dikush nuk do ta pranojë këtë pozitivisht, sepse po i prishet komoditeti që për 30 vjet dikush ia ka lejuar në kurriz të qytetarëve, të qytetit të Shkupit dhe komunave. Këta janë persona që nuk posedojnë asnjë dokument për vendosjen e objekteve. Në përgjithësi bëhet fjalë për objekte që uzurpojnë shtigje biçikletash, zona për këmbësorë, por edhe shumë hapësira të gjelbra publike.
Ka disa shembuj në komuna të caktuara. Për shembull, në komunën prej nga vij unë, në mes të një ambulance janë vendosur objekte të përkohshme pa asnjë dokumentacion. A është ky rendi dhe dinjiteti që meritojnë qytetarët? Jo. Duhet të ketë rend.
Në Bit Pazar ndodhet një ‘tobako’ që e bën të pamundur funksionimin normal, pasi është vendosur në mes të shtegut për biçikleta dhe këmbësorë. Ai do të hiqet. Kudo që ka uzurpim të hapësirës shtetërore dhe pamundësi për lëvizje normale të qytetarëve, ne do të veprojmë. Duhet të ndërtojmë një sistem ku do të ketë rend.
Ju si gazetar dhe prindërit tuaj, në këto mbi 30 vite pavarësi të shtetit, a ju ka lejuar dikush të vendosni një objekt në mes të parkut të qytetit? Jo. Por dikujt i është lejuar. Tani duhet ta vendosim rendin”, tha Orce Gjorgjievski – kryetar i Qytetit të Shkupit.
