
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në një deklaratë të fundit, ka akuzuar ashpër pushtetin aktual të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM për një politikë të qëllimshme dhe sistematike të përjashtimit të shqiptarëve nga proceset shoqërore dhe institucionale në Maqedoninë e Veriut.
Osmani e cilësoi këtë si një “projekt të koordinuar të eliminimit” që po zhvillohet me intensitet të plotë nën udhëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski, duke shtuar se shqiptarët po rikthehen në pozita periferike që i paraprinë Marrëveshjes së Ohrit.
“Nuk po flasim për raste të izoluara, por për një strategji të mirëmenduar që synon ta zhbëjë përfshirjen e shqiptarëve në vendimmarrje”, u shpreh Osmani.
Ai e akuzoi Mickoskin për intolerancë të thellë ndaj shqiptarëve, e cila sipas tij manifestohet si në qëndrime personale, ashtu edhe në përbërjen institucionale të qeverisë. Osmani përmendi mungesën e përfaqësimit shqiptar në kabinetin qeveritar, në ekipet kryesore të punës dhe në delegacionet ndërkombëtare.
Një nga veprimet më poshtëruese për shqiptarët, sipas Osmanit, është vendosja e resorit për Marrëveshjen e Ohrit në duart e atyre që ai i cilësoi si “përfaqësues të botës serbe në vend”.
Gjithashtu, Osmani paralajmëroi për hapa të tjerë të dëmshëm që, sipas tij, konfirmojnë këtë kurs politik: shfuqizimi i Balancuesit, margjinalizimi i mekanizmit të Badenterit dhe përjashtimi i shqiptarëve nga institucionet financiare, përfshirë Bankën Qendrore.
“Këta mekanizma – Badenteri, Balancuesi, përfaqësimi gjuhësor – janë mburoja kundër dominimit etnik dhe po shkatërrohen qëllimisht”, theksoi ai.
Osmani kritikoi edhe institucionet që sipas tij veprojnë si “proksi” të qeverisë, duke përmendur Gjykatën Kushtetuese, KSHZ-në dhe Bankën Qendrore. Ai nuk kurseu as përfaqësuesit shqiptarë brenda qeverisë, duke i cilësuar si të “poshtëruar” dhe të detyruar të zbatojnë vendime që nuk i marrin vetë.
Në përfundim, Osmani e cilësoi këtë moment si një referendum për dinjitetin dhe të ardhmen e shqiptarëve në vend.
“Kjo nuk është më vetëm një betejë politike. Është një çështje historike: a do të pranojnë shqiptarët të fshihen sërish nga sistemi, apo do të kërkojnë barazi të plotë?”, deklaroi ai.
Ai ripërsëriti përkushtimin e shqiptarëve ndaj orientimit perëndimor të shtetit dhe refuzimin ndaj çdo përpjekjeje për afrim me “botën serbe” apo ndikime ruso-kineze.
