Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmendi ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Ajo në foltoren e Kuvendit, ku ishte vendosur mbishkrimi “UÇK”, tha se Hashim Thaçi dhe të tjerët që po gjykohen në Gjykatën Speciale janë ngritur për liri, andaj çdo përpjekje për njollosje të luftës është e papranueshme.
E para e vendit tha se çdo përpjekje për ta barazuar luftën çlirimtare me krimet e regjimit gjenocidal të Serbia e minon drejtësinë dhe dëmton themelet e paqes në rajon.
“UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Ajo është zemra e rezistencës kombëtare dhe përgjigjja e një populli të shtypur ndaj një regjimi gjenocidal. Kjo luftë ishte gjithnjë e drejtë, e pastër dhe e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur atë është jo vetëm e padrejtë, por edhe historikisht e padrejtë dhe e papranueshme. Krerët e UÇK-së të Kosovës që sot gjenden në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë, u ngritën për liri, dinjitet dhe të drejtën për të jetuar të lirë në atdheun e tyre. Ndaj çdo përpjekje për ta barazuar luftën çlirimtare me krimet e regjimit gjenocidal të Serbisë e minon drejtësinë dhe dëmton themelet e paqes afatgjatë në rajon… Sot më shumë se kurrë e kemi për detyrë të qëndrojmë së bashku. Asnjë dallim yni i së kaluarës apo i së tashmes nuk guxon të jetë pengesë në unitetin tonë, në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare”, tha ajo.
Krahas kësaj, presidentja Osmani tha se pavarësia e Kosovës qëndron në vizionin e presidentit historik, Ibrahim Rugova si dhe në luftën e komandantit legjendar, Adem Jashari.
“Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, gjak, sakrificë dhe durim shekullor. Ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u burgosën, luftuan dhe asnjëherë nuk u nënshtruan. Sot, me respektin më të thellë, përulemi para kujtimit të gjithë burrave dhe grave që ranë për këtë ditë, në mënyrë që Kosova të jetë republikë. Në themelet e shtetit tonë qëndron vizioni i presidentit historik Ibrahim Rugova, arkitektit të pavarësisë sonë… Historia jonë më tej është brumosur në periudhën e luftës për liri. Ajo mban emrin e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij heroike dhe të gjithë burrave dhe grave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi presidentja Osmani.

Kurti: Krerët e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë.
Ai tha se ish-krerët e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri kundër një regjimi gjenocidal.
Kurti në seancën solemne të Kuvendi i Kosovës për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë, tha se krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare ka kryer Serbia e Slobodan Millosheviqit, duke shtuar se kërcënim për përsëritje të tyre është Serbia e Aleksandar Vuçiqit.
“Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së Republikës, brengosemi që krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të Republikës së Kosovës po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri kundër shtypjes shekullore dhe kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Ato nuk marrin parasysh kontekstin historik dhe politik të luftës çlirimtare, së cilës ia detyrojmë lirinë e sotme. Krimet kundër njerëzimit ndaj popullatës shqiptare i ka kryer Serbia e Millosheviqit. Kërcënim për përsëritje të tyre sot është Serbia e Vuçiqit. Barazia mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është e paqëndrueshme dhe e papranueshme për ne”, tha Kurti.
Krahas kësaj, Kurti tha se Kosova nuk do të lëshojë pe kur është fjala për çështjen e sovranitetit shtetëror.
“Republika nuk lëshon pe kur është çështja e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe demokracisë popullore. Demokracia është burim dhe shprehje e sovranitetit të Kosovës”, theksoi Kurti.
The post Osmani për ish-krerët e UÇK-së: Çdo përpjekje për njollosje të luftës, e papranueshme appeared first on Alsat.
