Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani thotë se ka informuar ndërkombëtarët, për, siç thotë ai, përpjekjet e qeverisë për të shtrembëruar protestën e studentëve me kërkesë që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, përcjell TV21. Osmani thekson se qeveria gjithashtu, po e interpreton në mënyrë të pasaktë mendimin e Komisionit të Venecias mbi Ligjin për Gjuhët.
Në lidhje me: Mikcoski Punojmë që provimi i jurisprudencës të jetë edhe në shqip! Për protestën e djeshme njoftuam aleatët në NATO dhe BE
“Sot informova përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar mbi përpjekjet e Qeverisë për të paraqitur në mënyrë të shtrembëruar natyrën e protestave studentore, duke i etiketuar ato si të motivuara politikisht dhe duke krijuar një perceptim të pasaktë për realitetin në vend. Theksova se këto përpjekje për të orientuar gabimisht partnerët ndërkombëtarë nuk reflektojnë shqetësimet reale të studentëve, të cilat lidhen drejtpërdrejt me zbatimin e të drejtave ekzistuese. Në këtë kontekst, sqarova edhe interpretimet e pasakta mbi opinionin e Komisionit të Venecias. Opinioni i marsit 2025 nuk trajton kufizimin e të drejtave gjuhësore dhe nuk i referohet legjislacionit tonë, por fokusohet në aspektet praktike të zbatimit, si kostoja dhe mbështetja logjistike, duke theksuar se këto janë standarde minimale që duhet të plotlsohen. Në një moment kur kërkohet zbatim i plotë i të drejtave, është thelbësore që komunikimi me komunitetin ndërkombëtar të bazohet në fakte dhe në paraqitje të drejtë të realitetit”, ka shkruar Osmani.
