Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, zhvilloi takim me të rinjtë, ku prezantoi vizionin e tij për “Çairin e Ri”. Ai theksoi se të rinjtë janë shtylla e zhvillimit dhe burimi kryesor i komunës, pasi mbi 43% e banorëve të Çairit janë nën 30 vjeç. Osmani paralajmëroi ndërtimin e një qendre multifunksionale të re në qendër të Çairit, në sheshin “Skënderbeu”, e cila do të përbëhet nga tre komponentë kryesorë.
“Duke u nisur nga qendra multifunksionale, multikulturore e të rinjve që do të ndërtohet këtu në Çair, që do të ketë tre komponentë. Nën një, Hub digjital dhe për inovacion, në të cilin nën konceptin bëje vetë, të rinjtë e Çairit do të mund të manifestojnë aftësitë e tyre kreative, duke pasur të gjitha laboratorët dhe veglat këtu në atë qendër multifunksionale. Komponentë e dytë do të jetë qendra edukative, me bibliotekë e cila do të jetë klasike dhe e digjitalizuar, duke mundësuar komuna të digjitalizojë me open source të gjitha libra të cilat i kanë të nevojshme të rinjtë e Çairit, dhe natyrisht komponentë e tretë e kësaj qendre multifunksionale, që do të jetë këtu në Sheshin Skënderbeu, do të jetë Qendra kulturore”, theksoi mes tjerash Osmani.
