Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar popullin sirian për Ditën e Çlirimit. Osmani përmes një fjalimi në profilin e saj zyrtar në “X” tha se të dy shtetet kanë njohur kapituj të errët të shtypjes dhe padrejtësisë.
“Kjo ditë nuk simbolizon vetëm lirinë e rifituar, por, gjithashtu rilindjen e shpresës së popullit. Të dy shtetet tona, Kosova dhe Siria, kanë njohur kapitujt më të errëta të shtypjes e padrejtësisë dhe dhimbje të paimagjinueshme. Por ne e dimë se çfarë është të ngrihesh, të transformosh dhimbjen në qëllim dhe forcë. Kemi qëndruar të pandryshueshëm në besimin tonë se asnjë fuqi nuk mund të shuajë dëshirën e popullit për liri, dhe kemi mësuar se drejtësia, edhe nëse vonohet, gjithmonë e gjen një zë. Liria e popullit të Kosovës është fituar përmes shumë sakrificave dhe guximit dhe e dimë që e njëjta energji përkufizon popullin e Sirisë, të cilët kanë përballuar kaq shumë, por prapëseprapë kurrë nuk u dorëzuan në besimin se e nesërmja do të jetë më mirë. Është kjo energji e përbashkët e qëndrueshmërisë, dinjitetit dhe shpresës që lidh dy shtetet tona bashkë. Këtë vit një kapitull i ri fillon mes Republikës së Kosovës dhe Republikës arabe të Sirisë, me njohje të dyanshme mes dy shteteve”, tha Osmani.
Osmani siguroi sirianët që Kosova qëndron afër tyre duke thënë se ‘jemi të emocionuar për të ardhmen e partneritetit tonë’.
“Kjo njohje është një lidhje morale mes dy popujve që kuptojnë koston e lirisë dhe vlerën në qëndrimin krahë-për-krahë për një botë më të drejtë. Jemi të emocionuar për të ardhmen e partneritetit tonë. Republika e Kosovës është e angazhuar që të punojë në afërsi me ju në vitet në vijim, duke afruar dy kombet tona në miqësi dhe bashkëpunim. Të dashur miq në Siri, Kosova qëndron afër me ju. Ne do të jemi partneri, miku dhe aleati juaj në çdo hap gjatë rrugëtimit. Nga Prishtina deri në Damask, zemrat tona rrahin si një; për liri, për dinjitet dhe për miqësinë e vazhdueshme mes dy shteteve tona. Urime Dita e Çlirimit”, ka thënë ajo.
