Osmani: Vendparkime të reja në Çair, planifkohen garazhe nëntokësore

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Çairit Bujar Osmani thotë se komuna po ngulfatet nga veturat kurse trotuaret janë shndërruar në parkingje.

Ai premton zgjidhjen e problemit me ndërtimin e vendparkimeve të reja duke bashkëpunuar me qytetarët të cilët do të ofrojnë pronën e tyre në këmbim të përfitimit financiar.

Osmani premtoi edhe zgjidhje afatgjate, si parkingjet nëntokësore.

“Komuna do të caktojë zonë interesi dhe do të blejë një hapësirë, një shtëpi, një oborr, të cilin do ta shndërrojë në parking pa pagesë për qytetarët dhe e dyta, do t’u jepet mundësi qytetarëve që të japin shtëpitë e tyre ose oborret e tyre, komuna do ua shndërrojë në parking mirëpo ata do ta shndërrojnë në biznes ose në partneritet privat-publik me komunën dhe do ta japin me pagesë. Në çdo rrugë të Serovës, Gazi Babës, Dizhonit, më së paku do të ketë dy parkingje për atë mëhallë, një pa pagesë dhe një me pagesë, që t’u japin mundësinë qytetarëve që vullnetarisht të ndihmojnë në këtë drejtim”, tha Bujar Osmani, Kandidat për Çairin./ Alsa.mk