
Nga Bardhyl ZAIMI
Bëhuni një në pluralizmin politik tuaj, sepse ka do kufijë që nuk duhet tejkaluar dhe nuk duhet lejuar zhbërja e gjuhës dhe identitetit pavarësisht inateve politike që mund t’i keni.
Kur valë e krisur e gjëmës së urrejtjes ndaj gjuhës shqipe po shfaqet me delire nacionalizmi primitiv, mbrojeni dinjitetin e gjuhës shqipe, të qenësisë sonë, të çdo shqiptari që ju ka votuar, si parti, por edhe si reprezentë të një vullneti politik, demokratik dhe kulturor.
As beteja për të qëndruar dhe ardhur në pushtet nuk ka kuptim, pa gjuhën shqipe, që mbetet substanca historike dhe politike, që shkon përtej jush, përtej mandateve të përkohshme, që një ditë veniten dhe pushojnë në vogëlsi të zakonshme.
Mbrojeni dinjitetin gjuhës, sepse politika merr kuptim në këtë përhershmëri, në të kundërtën do t’ju përpjestojnë vetëm si aktorë kotësie në demokracinë që e kontrollojnë me supremaci numrash dhe do të bëheni thes boksi për stinët e tyre të ushtrimit të nacionalizmit dominues.
Mos hezitoni ta mbroni me dinjitet politik, pa kalkulime për pushtet, sepse është kryevlerë kombëtare dhe europiane dhe pavarësisht inateve politike, në esencë, vota e çdo shqiptari merr vlerë nga kjo këmbëngulje.
Mos lejoni t’ua relativizojnë betejën gjuhës shqipe, as t’ju shpikin justifikime, sepse është e drejtë kolektive, identitare e dimensioneve europiane.
Bëhuni të sinqertë në mbrojtjen e gjuhës shqipe, bashkëpunoni, sepse nuk e kemi luksin e stërkeqjeve banale, që krijon hapësirë për zhbërje arrogante nga një nacionalizëm dominues, që luan lojën pushtet-opozitë, kur në esencë ka një pakt të heshtur për të rikthyer kohërat e vjetra.
Tejkalojeni veten, krijoni kanale komunikimi, reprezentoni tanësinë ekzistenciale, jo copëzat e fragmentuara të betejave të lodhshme politike. Jini të vërtetë në këtë limit të fundëm të kuptimit politik, pastaj ushtroni pluralizëm politik, demokraci.
Krijoni një atmosferë njerëzore bashkëpunimi për këtë kufi ekzistence të pakalueshëm, pa hezitim dhe frikë se mund të keqkuptoheni, sepse keqkuptimi më madh është moskomunikimi dhe ndarja banale politike pa bazamentin e gjuhës.
Krijoni një momentum tjetër bashkërendimi, pa fajësuar njëri-tjetrin dhe shpërfaqeni si kredo politike dhe kulturore në hapësirën publike dhe institucionale.
Bëhuni zotër të përhershmërisë së gjuhës shqipe, dinjitetit shqiptar, frymës europiane, pa e urryer tjetrin. Mos lejoni që mbrojtjen e gjuhës shqipe, të identitetit shqiptar t’ua paraqesin si cenim të një gjuhe tjetër, sepse nuk është ashtu, përkundrazi, cenimi i shqipes vjen nga ky kurth.
Qëndroni fort pas kësaj përpjekje, sepse është thellësisht europiane në përhershmërinë shqiptare, mos lejoni t’ua thonë të kundërtën.
Mos e pranoni relativizimin, demontimin e një arritjeje që është bazë e mirë për përpjekjen e radhës, bëhuni bashkë për ta bërë gjuhë me emër edhe në kushtetutë, sepse është gjuhë e një kombi me trashëgimi mijëra vjeçare. Tejkaloni meskinitetet, lojërat oborrtare, pushtet-opozitë, sepse gjuha është një, është njësi kombëtare përtej entitetit parti, është ekzistencë, status identitar në shtet. Gjeni forma komunikimi, sepse dinjiteti i gjuhës shqipe, i identitetit shqiptar duhet mbrojtur me çdo kusht, si vlerë e padiskutueshme europiane.
Kini parasysh se në “Librin e bardhë” të Këshillit të Evropës” pluralizmi gjuhësor dhe kulturor mbetet esencë e idesë së BE-së.
