Një 69-vjeçar nga Komuna e Gazi Babës ka ndërruar jetë nga ethet e Nilit Perëndimor, duke shënuar viktimën e shtatë nga kjo sëmundje në Maqedoni. Siç njoftoi ministri i Shëndetësisë, në Klinikën e Sëmundjeve Infektive ka ndërruar jetë një pacient, i cili kishte qenë i shtruar në spital për më shumë se 38 ditë.

Pacienti që ndërroi jetë ishte nga Komuna e Gazi Babës dhe ishte 69 vjeç.

Që nga njoftimi i fundit, është regjistruar një rast i ri i dyshimtë nga Radishani.

Sipas ministrit Klekovski, nga fundjava e deri më sot, të gjitha rastet e reja janë nga zona e Veriut të Shkupit.

Ndërkohë, pas rritjes së numrit të rasteve me ethe të Nilit Perëndimor, në disa komuna të Shkupit është shpallur epidemi dhe janë zhvilluar spërkatje të jashtëzakonshme kundër mushkonjave.

“Rasti i ri është nga Radishani. Në thelb, gjatë ditëve të fundit, nga fundjava e deri tani, të gjitha rastet e reja janë nga Shkupi i Veriut. Tashmë është diskutuar me kryetarët përkatës të komunave që t’u kushtojnë vëmendje aktiviteteve atje”, tha ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.